Shuhet kompozitori i këngëve epike, Përparim Tomçini
Është shuar në moshën 65-vjeçare kompozitori Përparim Tomçini. U lind në Peshkopi. Kreu studimet e larta për kompozicion në Akademinë e Arteve. Në 1979 nisi punë si përgjegjës i Muzikës në Shtëpinë e Kulturës Qendrën Kulturore “Haki Stërmilli” në Peshkopi dhe pastaj në Kamzë.
5 Qershor 2020
Është shuar në moshën 65-vjeçare kompozitori Përparim Tomçini. U lind në Peshkopi. Kreu studimet e larta për kompozicion në Akademinë e Arteve. Në 1979 nisi punë si përgjegjës i Muzikës në Shtëpinë e Kulturës Qendrën Kulturore “Haki Stërmilli” në Peshkopi dhe pastaj në Kamzë.
Vlerësohet si kompozitor i këngëve epike, si për rapsodinë vokale për Isa Buletinin apo “Rrënjët në gjak i ka liria”. Është autor i përpunimeve muzikore, “Këngës së Rexhës”, “Pjergullo, moj pjergullo”, “”Po vjen zogu për rreth livadhit”, “Po këndojnë pushkët nëpër kulla”, “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “O, prite Azem Galicën” etj.
Është autor i 400 kompozimeve dhe përpunimeve të këngëve e melodive. Për shumë vite ka qenë udhëheqës artistik i ansambleve të Dibrës në dy festivale folklorike të Gjirokastrës, në turnet e vitit 1992 e 1995, në Turqi, në Festivalin e Klasës Punëtore në Durrës në vitin 1984 e në Tiranë më 1989, në Festivalin Folklorik të Beratit më 1995. Ka drejtuar tri ansamble artistike dhe një ansambël folklorik në Dibër të Madhe me Shoqërinë Kulturore Artistike “Haki Stërmilli”, dy ansamble artistike në Strugë me SHKA “Shpresa e Veleshtës”, një ansambël artistik në Tetovë të SHKA “Xheladin Zeqiri”.
Ka realizuar 7 premiera ansamblesh në Televizionin Shqiptar me ansamblin “Dibra” dhe ka organizuar si udhëheqës artistik festivalet e “Odës Dibrane”. Në Dibrër është shpallur “Nderi i Kulturës Dibrane”, ndërsa nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është dekoruar me motivacionin: ”Për kontribut të madh për lirinë, për kontributin e madh në muzikë dhe art barazinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këngët e tij kanë qenë frymëzim dhe motivim për shumë gjenerata, që u angazhuan për liri, barazi dhe pavarësi”.
Gazeta Shqiptarja.com