Shuhet në moshën 86-vjeçare studiuesi i njohur Agron Fico, profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve.

Shuhet në moshën 86-vjeçare albanologu dhe studiuesi i njohur Agron Fico. Lajmin e ka dhënë Akademia e Shkenca, teksa vlerëson maksimalisht figurën e Ficos, për kontributin e vyer të dhënë në trashëgimit shpirtëror të popullit shqiptar. 

2 Qershor, 2020

TIRANË– Shuhet në moshën 86-vjeçare albanologu dhe studiuesi i njohur Agron Fico. Lajmin e ka dhënë Akademia e Shkenca, teksa vlerëson maksimalisht figurën e Ficos, për kontributin e vyer të dhënë në trashëgimit shpirtëror të popullit shqiptar: etnofolklorit, pasurisë gojore, gjuhës së popullit dhe asaj të shkruar, traditave të kulturës popullore, gjenezës së popullit shqiptar. Ai njihet ndryshe si “profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve”, pasi bashkëthemeloi katedrën e gjuhës shqipe në Pekin dhe gjysmë shekulli më vonë edhe katedrën e shqipes në Boston.

Kush ishte Agron Fico? Studiuesi Agron Fico është i pari studiues që, pas një pune këmbëngulëse dhe plot pasion, arriti të këshillojë koleksionin e famshëm Parry-Lord që ruhet në bibliotekën e Universitetit të Harvardit, që përmban mbi 60 këngë epike historike dhe legjendare kënduar nga rapsodë bilingë, shqip e serbokroatisht, mbledhur gjatë dy ekspeditave të homerologëve të famshëm amerikanë Milman Parry dhe Albert Lord në Shqipërinë e Veriut dhe në Sanxhak e Novi Pazar.

Veprimtaria studimore dhe ajo universitare janë të pandara në jetën e prof. Agron Ficos. Përveç Universitetit të Tiranës, ai jo vetëm ligjëroi, por dhe bashkëthemeloi katedrën e gjuhës shqipe në Pekin dhe gjysmë shekulli më vonë edhe katedrën e shqipes në Boston. Prandaj ai është quajtur me të drejtë “profesori që u mësoi shqip kinezëve dhe amerikanëve”.

Agron Fico.

Për meritat e tij të rralla Agron Fico është nderuar me “Çmimin e Republikës” dhe me mirënjohjen më të lartë universitare të Kinës për arritje akademike. Emri i tij gjendet midis emrave të profesorëve më të shquar universitarë amerikanë në leksikonin “Who’s Who Among American’s Teachers” (bot. 2000). Në dekadat e fundme ai ishte nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve. Ai është nderuar me titullin “doctor honoris causa” prej Universitetit “Eqrem Çabej” dhe ishte qytetar nderi i Gjirokastrës.

Disa nga veprat e prof. Agron Ficos:
“Profesor në tre kontinente” (SHBA 2004);
“Diaspora e rilindur” (Tiranë 2006);
“Rilindja e Shqipërisë etnike” (Tiranë 2009);
“Beautiful America” (Tiranë 2014);
“Zbulimi i eposit shqiptar në Harvard” (Tiranë 2016).

Tekste shkollore dhe universitare për të huajt:
“Gjuha shqipe”, metodë për studentët amerikanë;
“Unë flas shqip”, metodë e gjuhës shqipe për të huaj;
“Metodë e gjuhës shqipe”, I-IV, tekst për studentët kinezë;
“Histori e Shqipërisë”, tekst për studentët amerikanë.

B.K./Shqiptarja.com