Nexhmedin doko

2 Shkurt 2024

Është shuar në moshën 95-vjeçare, Nexhmedin Doko, kompozitori i shquar, autor i shumë këngëve të muzikës së lehtë dhe teksteve shkollore.

Nexhmedin Doko lindi në vitin 1929, në qytetin e Beratit. Në vitin 1950 përfundoi me rezultate të larta Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Prof. Doko ishte “produkt” i Konservatorit të njohur rumun “Ciprian Porumbescu” (kompozitori i muzikës së himnit kombëtar), ku vijoi studimet në dirigjim dhe kompozim (1958-1962).

Kompozimet e tij janë interpretuar nga këngëtarë të njohur si Vaçe Zela, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Zija Saraci etj. Ka marrë pjesë në disa nga festivalet e këngës ku ka fituar edhe çmime. Krijime të Nexhmedin Dokos janë midis të tjerave këngët “Kur jam pranë teje”,  “Rini e Zjarrtë, etj., si edhe operetën “Dritë dhe këngë”.

Gjithashtu Nexhmedin Doko ka shkruar edhe tekste mësimore muzike. Pas goditjeve të sistemit komunist në fushën e artit dhe kulturës (1973-1974), Nexhmedin Doko u mënjanua thuajse totalisht nga sistemi, në kuadër të luftës famëkeqe të klasave dhe shumë nga krijimet e mëpasshme të tij nuk patën fatin të bëheshin publike, duke e lënë të cunguar CV-në e tij muzikore, fat i hidhur që shoqëroi shumë krijues e artistë të spikatur që jetuan në periudhën e diktaturës komuniste. 

Pjesë nga krijimtaria e Nexhmedin Dokos:

1.         “Rini e zjarrtë” – Festivali i XIII-të i këngës RTSH – 1974

2.         “Takim i brezave” – Festivali i XII-të i këngës në RTSH – 1973

3.         “Festë në malësi” – Festivali i VI-të i këngës në RTSH – 1967

4.         “Kur jam pranë teje” – Festivali i IV-t i këngës në RTSH – 1965

5.         “Kthim nga fusha” – Festivali i III-të i këngës në RTSH – 1964

6.         “Nëse ti mua më pyet” – Festivali i II-të i këngës RTSH – 1963

7.         “Kënga e inxhinieres” – Festivali i I-rë i këngës RTSH – 1962

8.         Opereta  “Dritë dhe këngë”.

 CNA