Shuhet një tjetër yll! – Ndahet nga jeta bilbili i këngës popullore, Sali Brari.
Shuhet një tjetër yll! – Ndahet nga jeta bilbili i këngës popullore, Sali Brari.
13 NËNTOR 2020
Ndahet nga jeta bilbili i këngës popullore, Sali Brari. Lajmi është bërë publik nga Teatri Kombëtar të Operas.
“Lamtumirë – Bilbilit të këngës popullore Sali Brari.
Shtegtoi edhe një bilbil….
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë mësoi ndarjen nga jeta të artistit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, këngëtari me vokalin e veçantë, artisti me aftësi të rralla, Sali Brari.”, shkruan TKOB.
Kush ishte Sali Brari
Sali Brari u lind në Tiranë më 18 maj të vitit 1935. Që në shkollën fillore u shpërfaq talenti i tij me zërin e ëmbël e të ngrohtë, duke u aktivizuar në aktivitetet muzikore të asaj periudhe. Në vitin 1956, Sali Brari u emërua këngëtar pranë Estradës së Shtetit. Me krijimin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1957, ai iu bashkua kësaj trupe, derisa sa doli në pension. Gjatë kësaj periudhe, ai kreu edhe Liceun Artistik pranë degës e kantos.
Në repertorin e Sali Brarit gjejmë një larmi këngësh popullore, këngë të përpunuara, këngë popullore të krijuara nga kompozitorët tanë, deri tek interpretimi prej tij në operetën “Vjeshtë e artë” e kompozitorit Tish Daija si dhe opera “Skënderbeu”.
Sali Brari shndriti në çdo shesh e në çdo skenë të vendit. Po aq i suksesshëm ishte edhe në turnetë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Europë, Azi e Afrikë, duke i mahnitur të huajt me fuqinë interpretative dhe zërin aq të veçantë e melodioz. Për aktivitetin dhe kontributin e tij në fushën e interpretimit të muzikës popullore, Kuvendi Popullor e ka vlerësuar me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të I-rë.
Gazeta Shqip
Bilbili i këngës tonë të bukur shqiptare, Sali Brari, do të kujtohet gjatë nga familjarët, bashkëpunëtorët dhe miqtë e shumtë, nëpër të gjitha trojet shqiptare!