Shuhet një yll i kinematografisë shqiptare
Shuhet një yll i kinematografisë shqiptare
20 PRILL 2020
Shkrimtarja e njohur shqiptare Natasha Lako e cilëson të parakohshme largimin nga jeta të aktorit e regjisorit Rikard Ljarja, një nga ikonat e kinematografisë shqiptare, aq shumë i dashur nga publiku gati në adhurim.
Me një mesazh prekës, Lako i jep lamtumirën atij që e quan, ‘fytyra më e dashur e rinisë sime, zemra më e pastër e brezit shqiptar më të papërdhosur’.
“Lamtumirë Rikardi ynë i shtrenjtë! Fytyra më e dashur e rinisë sime, zemra më e pastër e brezit shqiptar më të papërdhosur, shpirt krijues i qytetërimit shqiptar, në vazhdimësinë dhe transformimin e viteve 60 në të gjithë botën, shkodran i mençur me qëndresën më fisnike. Zë kumbues, i njeriut më të zakonshëm. Njeri i filmit, teatrit dhe i penës, i shokëve, i familjes sate të bukur dhe i dashurisë së pafund. Na le para kohe”, shkruan Lako.
Rikard Ljarja u nda nga jeta sot në moshën 77-vjeçare në banesën e tij në Tiranë pas një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej kohësh. Ai la pas një jetë me role te ndryshme që u kthyen në personazhet më të dashura të shqiptarëve. Me zërin karakteristik, Rikard Ljarja do të mbetet përgjithmonë në mendjet e atyre që e deshën në skenë.