Shuhet papritur në moshën 60-vjeçare piktori i njohur Gjovalin Paci. –
Shuhet papritur në moshën 60-vjeçare piktori i njohur Gjovalin Paci
Piktori i njohur Gjovalin Paçi është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur. Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur miqtë e tij në rrjetet sociale.
Është ndarë nga jeta në më mënyrë të parakohshme, në moshën 60-vjeçare piktori i shquar Gjovalin Paci. Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur miqtë e tij në rrjetet sociale. Paci hyri në rrugën e artit si një mundësi për të shpërthyer nga vetja vërshimin e një shpirti të pasur dhe plot nerv krijues. Piktura e tij është prirur nga mistika dhe moderniteti. Edhe pse origjina e tij ishte italiane, Gjovalin Paci u rrit me një gjyshe shqiptare që i rrëfente përralla dhe legjenda. Ato shpesh kanë marrë trajtë në veprat e tij. Piktori i njohur ka pasur vite të fundit shqetësime nga zemra, por ishte gjithnjë energjik dhe aktiv në krijimtari e jetën shoqërore. Ndarja e parakohshme nga jeta është një humbje e madhe për artin shqiptar. Paci ishte ndër më origjinalet e brezit të vet në krijimtari. Stili i tij piktorik shquan për metaforat, simbolet dhe figurat misterioze.
Gjovalin Paci është ndër të parët piktorë nga Shqipëria që ekspozoi punët e tij në Galerinë e Komisionit Evropian në Bruksel i prezantuar në teknikën e akrilikut të pjekur me portretin dhe motivin e Nënë Tereza. Në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë realizoi ekspozitën “Skënderbeu kalorësi i Lirisë dhe Simbol i Bashkimit” në Muzeu Historik Kombëtar me 100 portrete nga Heroi Kombëtar shqiptar.
Kush është Gjovalin Paci
Gjovalin Paci lindur ne Shkodër ne 1958, është prezantuar si një artist befasues me mbi 50 ekspozita personale të celura si brenda ashtu dhe jashtë vendit, Paris, Frankfurt, Bruksel, si dhe në vende të ndryshme të Ballkanit. Shumë punime të tij janë pjese e koleksioneve të ndryshme të artit, të shoqëruara dhe me vleresimet më të larta të kritikës vendase dhe të huaj.
Gjovalin Paci është një artist bashkëkohor. Punimet e tij janë plot koncept dhe filozofi, duke kaluar nga cikli me temat biblike tek motivet tradicionale dhe me aq delikatesë tek temat lirike. Mjetet gjysme mistike dhe tonet e erreta, një finesë e jashtëzakonshme plot potencial shprehës, i bëjnë pikturat e tij të çuditshme dhe mjaft origjinale.