Rexhep Çeliku “vallëtari fluturues”, Nder i Kombit, një nga ikonat e Ansamblit Popullor Shqiptar është shuar përgjithmonë në orët e para të ditës së sotme pas një sëmundjeje të rëndë. Vetëm dy ditë më parë presidenti i vendit Ilir Meta e dekoroi atë me “Nder i Kombit” , titull të cilin artisti e pranoi vetë në ceremoni.

“Shqipen fluturuese”, Rexhep Çeliku, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”, thuhej në motivacionin e presidentit.

Më tej presidenti vazhdoi duke thwnw se “ Rexhep Çeliku, biri i një familje gjirokastrite të traditës kombëtare, ndoqi trashëgiminë e të atit duke e gdhendur vallen popullore shqiptare në tempullin e kulturës, në skenën e Ansamblit tonë Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore si “Shqipja fluturuese”, sikundër e ka karakterizuar kritika artistike shqiptare dhe e huaj.

Rexhep Çeliku, me pasion dhe përkushtim, me estetikë dhe mjeshtëri, me talent të jashtëzakonshëm ka shkruar disa nga faqet më të lavdishme të artit shqiptar. Rexhep Çeliku ka interpretuar solistin e parë në 200 valle, ka marrë pjesë në më shumë se 3000 shfaqje artistike dhe është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare e medalje të ndryshme.

Figura emblematike dhe e veçantë e tij në skenë, kaq emocionuese sa edhe mbresëlënëse në portretin e tij të hekurt, por edhe në gjithë gjymtyrët e tij, me të drejtë është simbolizuar në thënien mbresëlënëse “Njeriu që vallëzon me shqipet” ose “Shqiponja e skenës shqiptare”.Ikja e tij është një ngjarje e trishtë për kulturën shqiptare e cila humbi një nga talentet e saj të rralla.

I lindur në Tiranë në vitin 1954, Rexhep Çeliku prej vitit 1976 ishte solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.Krijimtaria gati 45 vjeçare e tij, pak kohë më parë erdhi e botuar në një monografi nga Dedin Suli.

Libri tregonte karrierën e artistit nga një punëtor ndërtimi në një valltar fluturues. “Valltari që për 40 vjet radhazi i dha hijeshi skenës me trupin e tij lastar, me kërcimin e tij magjepsës”, shkruante Dedin Suli. “U detyrova që në përfundim të tetëvjeçares të hyja në punë që ti vija në ndihmë familjes. Si të gjithë fëmijët e asaj moshe, të cilët me të mbaruar shkollën punësoheshin ose në fermë ose në ndërtim, unë preferova ndërtimin, pasi dhe fizikisht isha i fuqishëm.

Që prej asaj kohe jeta ime ndryshoi krejtësisht, pasi më pas ishte mjeshtri Panajot Kanaçi ai i cili zbuloi talentin tek unë”, tregonte në libër valltari i njohur Çeliku. Pasioni dhe përkushtimi ndaj valles popullore, dëshira për të dhënë gjithçka, në mënyrë të përkryer dhe bukur, në raport me simbolikën dhe estetikën e saj, e bënë Rexhep Çelikun një nga më të talentuarit valltarë që ka pasur Ansambli i Valleve.