Si e njoha artisten e madhe me origjinë shqiptare, Lika Janko. –
Nga: Nadire Buzo. –
Kritikët e artit e quajnë “Pikasoja me fustan”..! Një ftesë për takimin përkujtimor, që organizohet sot në orën 18:00 nga Konsullata e Nderit e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri dhe Galeria Kombëtare e Arteve me rastin e 85 vjetorit të lindjes së piktores Lika Janko (1928 – 2001), më zgjoi kujtimin, respektin dhe dashurinë për një artiste të madhe bullgare me origjinë shqiptare. Lika Janko është emri i saj i artit, me të cilin do të firmoste tablotë e famshme dhe do të bënte emër të përbotshëm. Emri i saj i vërtetë është Evangjelia Grabova. Nëna e saj ishte nga fshati Llengë i Pogradecit, ndërsa ati, Llazër Grabova nga Grabova e Gramshit, një familje patriotike, e cila kontribuoi në luftën për pavarësinë e Shqipërisë e më pas në ardhjen e Qeverisë Demokratike, porse dështimi i Revolucionit të Qershorit dhe rënia e Qeverisë së Nolit e detyroi atë të largohej në kurbet, në vendin fqinj Bullgari, aty ku Rilindësit tanë qysh nga koha e Naum Veqilharxhit e më tej do të zhvillonin legalisht veprimtaritë e tyre patriotike. Llazëri dhe familja e tij jetuan nw Bullgari, pa harruar kurrë atdheun e tyre. Jam ndier e privilegjuar që kam pasur mundësinë të kem Lika Jankon të pranishme si pjesë të një filmi dokumentar të titulluar “Miqësi të vjetra në kohë moderne”, në të cilin trajtohen shoqëritë shqiptare të emigrimit ndër vite dhe veprimtaritë e tyre kulturore dhe atdhetare si Shoqata “Skënderbeu” me në krye të saj patriotin, pasardhësin e Rilindësve Thoma Kaçorrin, albanologun, studiuesin dhe për shumë vite drejtuesin e katedrës së Albanologjisë, e cila ishte gjuhë e parë në Universitetin bullgar të gjuhëve, etj, etj. Në simpoziumin që u realizua për nder të 28-29 Nëntorit dhe festimeve të këtyre festave së bashku me ambasadën Shqiptare dhe shoqatat e miqësisë Bullgari-Shqipëri ishin shumë mbresëlënëse. Damat e hijshme me origjinë shqiptare nga Korça ishin të gjitha me kapele dhe veshje mondane shumë të bukura. Të gjithë këta atdhedashës kishin në qendër të vëmendjes traditat, kulturën, historinë artin shqiptar të zhvilluar këto me mbështetjen e vazhdueshme të shtetit bullgar. Aty dëgjuam rrëfimet për artisten e madhe Lika Janko, e cila jo vetëm se kishte fituar shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, porse po atë vit, në mesin e 2000 grave piktore të famshme nga e gjithë bota kishte fituar edhe çmimin e madh të Universitetit të Kembrixhit si “Gruaja e Vitit”. Pse piktorja Janko nuk pranonte të intervistohej Dokumentarin e realizova në vitin 1999, atëherë kur artistja Lika Janko (Evangjelia Grabova-emri saj i vërtetë) ishte ende në jetë, pasi pas një viti e disa muaj ajo u nda nga jeta, dhe përcjellja e lajmit u bë me filmimet e këtij dokumentari, në TV Clan. Artistja dhe gruaja e madhe jetoi dhe u bë e famshme në Bullgari, por origjinën e saj shqiptare nuk e harroi kurrë. U habiat kur mësova se ajo për shumë vjet nuk pati lejuar ta fotografonin apo ta filmonin, nuk jepte intervista dhe nuk takohej me shumë njërës. Ky trishtim dhe zhgënjim i kishte ardhur si pasojë e një keqkuptimi te madh, kur një ambasador shqiptar i akredituar ne shtetin bullgar, në vitet e komunizmit, mori pjesë në një ekspozitë të piktores së madhe. Në ekspozitë vërejti piktura moderne dhe impresioniste për kohën, u mahnit nga ekspozita dhe iu drejtua: “-Zonjë në se do të ishit në Shqipëri me këtë ekspozitë do të kalbeshit nëpër burgje.”
Ajo kishte ëndërruar gjithë jetën e saj të shkonte ta vizitonte atdheun e saj të afërmit, pragun e derës, erën e pyjeve, maleve dhe të lumenjve dhe ndërsa ajo pret të vijë ajo ditë dikush i thotë se atje do të kalbej në burgje, se njerëzit paskëshin qenë të egër të ligj, anti-art, vrasës, burgosës, të shëmtuar, të pafe. E përse do të kalbej në burgje, ç’kishte bërë përveçse dashuronte artin dhe botën njësoj si atdheun e saj. Piktorja moderne, me fantazi të rrallë lirike dhe mistike, nuk mund ta pranonte këtë thënie ”po të ishe atje në Shqipëri, do të ishe kalbur burgjeve!”, ndaj ajo e urreu shumë atë njeri pa ç’ka se ai i tha të vërtetën, duke guxuar shumë edhe pse ishte pjesë e atij sistemi. Ajo nuk mund ta kuptonte se pavarësisht se të dyja vendet Shqipëria dhe Bullgaria ishin pjese e sistemit komunist lindor, në vendin e saj komunizmi mund të ishte edhe më e egër. Si arrita ta bindja Lika Jankon për intervistat Jam fatlume që munda ta takoj. I jam mirënjohëse perëndisë dhe zotit George Stamenov, piktor njohur bullgar dhe pedagog në universitetin e Arteve të Bukura në Sofje. Nëna e Georges ishte mike e ngushtë e Lika Jankos. George, një djalë shumë simpatik dhe intelektual u tregua shumë i hapur dhe shumë bashkëpunues. Ai na tregoi se piktorja më e madhe bullgare me përmasa botërore është me origjinë Shqiptare, dhe foli me shumë respekt dhe dashuri për të. “Është një grua e madhe por diskrete nuk dëshiron të japë intervista të fotografohet apo filmohet”, tha. Ne ju lutëm të na mundësonte një takim pasi kishim bërë përpjekje shumë por nuk ishte e mundur ta bënim këtë dhe në një kohë relativisht të shkurtër të qëndrimit tonë. Ai na premtoi, pa na treguar incidentin, të cilin e kishim dëgjuar nga bashkatdhetarët, miq të piktores, duke theksuar se në se do të mundej pasi ishte e moshuar dhe jo mirë me shëndetin.
Të nesërmen morëm lajmin e gëzuar, pasdite në orën 17.00 do të shkonim në shtëpinë studio të piktores së madhe. Ishte kati i fundit i një pallati të zakonshëm, që dukej si papafingo. Një shtëpi e thjeshtë e rrëmujshme, me bojëra, furça, piktura, kavanoza, kanaçe dhe një tavoline e areduar aq bukur në mes me gjethe vjeshte ngjyra-ngjyra. Një rrëmujë e këndshme mahnitëse. Një rrjetë e madhe merimange e lënë nga vetë ajo për t’u pikturuar më pas. “Jeta është si kjo pëlhurë e merimangës, që po u këput fillin. Hajde ta kapësh, prishet krejt, duhet nisur nga e para, e kështu përsëri po u këput……kështu është jeta, prandaj është e egër e frikshme merimanga……” shqiptonte ajo nën zë në gjuhën bullgare. Kontakti i parë me artisten Kur u shfaq së pari nga dhoma e gjumit, ashtu e shkujdesur e pa stisur, një grua me trup te imët dhe shëndet të pakët, ku për çudinë e madhe pas pesë minutash na u duk se ishte gruaja më e bukur në botë. Prej syve të skuqur dhe të përlotur, buronte dritë dhe mirësi, ajo foli pak dhe qetë, shpjegoi një për një pikturat e varura në mur: Kështu e kishte titullin dhe ekspozita që do të hapte pas disa muajsh. Piktura ku një peshk i madh e ha të voglin titullohet “Sëmundja e gjithësisë” …. Pastaj u ndal tek piktura e nënës së saj. Se ku e kisha parë këtë grua mendova, me flokët gërsheta të ndara me vijë në mes, e pakët e dobët, dora e mbërthyer rreth belit mendueshëm e veshur me të zeza. Mu duk për një çast se pashë të pikturuar gjyshen time, nënat ballkanase. Lika, fliste ngadalë, për një çast ndali, u mundua jo vetëm në gjuhën bullgare, por edhe në anglisht, u përpoqëm ta ndihmonim të gjithë, por jo ajo kundërshtonte. Ishte fjala tek sytë e nënës, i kam bërë me thëngjij tha ajo, piktura është më bojëra vaji, por sytë jo, janë pikturuar me thëngjij. – Po pse?- do nxitoja ta pyesja. Pikërisht këtu mbeti përgjigja që nuk po e gjenim në asnjë gjuhë që shqiptonim. Ajo kundërshtonte për cilëndo nga përgjigjet tona. Pasi ndenji një copë herë, u drodh fort tek shqiptoi fjalën..: Mallëngjim!
Ajo nuk pranonte të jepte intervistë. U mrekulluam në ato pak fjalë ajo tregoi shumë mall dhe dashuri. U larguam nga ajo grua e mrekullueshme fantastike, të përcjella nga shoku i saj i shkollës që na mikpriti. Quhej Nikolla Veriga nga Voskopoja e Korçës, një familje atdhetare me emër, i cili na tregoi dhe foli gjatë për prejardhjen e Evangjelia Grabovës, për jetën dhe veprën e saj, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Na tha se me Evangjelinë kishte qenë shok shkolle, vajza e tij ishte piktore. Quhej “Drita” dhe se kishte ne mes të Sofies një Galeri të madhe, me të njëjtin emër, nga ku i ftonte të gjithë artistët shqiptarë të shkonin dhe të ekspozonin dhe të bënin aktivitete atje. Entuziaste, mendova se do t’i realizoja premtimet e bëra, dhe se do të kthehesha shumë shpejt përsëri tek ajo grua e jashtëzakonshme. Porse kisha harruar se ishim në vitin 1999, pak kohë pas vitit të zi, `97. Dhe se artistja do të ishte gjithmonë aty ku e kishim lënë, me po atë thjeshtësi e madhështi që e kishim gjetur. Kur mora vesh lajmin e zi, se Lika Janko, kishte fluturuar në qiell, fill një muaj pas motrës së saj të dashur, u trishtova shumë. Mallkova veten dhe fatin e vendit tim dhe atë të botës, që nuk na jep mundësinë të bëjmë atë që duam për të mirën tonë. Miqtë dhe studentët tanë që studiojnë në shtetin mik të bullgarisë më thanë se Artistja e madhe Lika Janko ishte përcjellë me të gjitha nderimet. Të gjithë që morën lajmin e hidhur ishin lotuar. Ajo ç`ka më bëri tepër krenare dhe fashiti disi humbjen e saj ishte se: I gjithë lajmi dhe ditët e homazheve, si dhe përcjellja e tyre në media ishte bërë me ilustrimet e filmit tim dokumentar. Kisha bërë diçka të mirë, pak fare pak prej asaj që do doja të kisha dashur të ndodhte. Pas pak javësh në Shqipëri erdhën nipërit dhe të afërmit e artistes sollën në Galerinë Kombëtare të Arteve një koleksion të hershëm të piktores. Ndërkohë nëpërmjet Ambasadës Bullgare në Shqipëri kërkonin me ngulm të blinin kasetën e filmit dokumentar “Miqësi të Vjetra në Kohë Moderne”. I vetmi filmim i saj. Sigurisht, ia dhurova kasetën me shumë dashuri, kisha qenë fatlume që m’u dha rasti të njoh një grua dhe artiste të madhe si Lika Janko, si dhe falënderova perëndinë që më shpuri tek ajo, në një kohë të cilën, parandjeu ikjen në parajsë dhe desh të linte hijen e vet në tokë, ashtu siç la një vepër të madhe që do ti shërbejë njerëzimit. *Bibliografe-Studiuese Arti Shkrimi u publikua sot (20.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com |