Si e paralajmëroi vetë Vis Martinaj kontrollin në shtëpinë e tij, mesazhet që shkëmbeu me familjarët: – “Kujdes, mund të…”
27 Dhjetor 2022
FNSH dhe RENEA-t zhvilluan ditën e djeshme një operacion kërkimi në banesën e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, dhe familjarëve të tij, ku u gjet një arsenal armësh.
Armët ishin fshehur në kosheret e bletëve, ndërsa në këtë sasi armësh dhe municionesh, kishte elementë që kryesisht gjenden në ngjarjet kriminale të vrasjeve që mbeten pa autore.
Më konkretisht, në shtëpinë e Ervis Martinajt dhe 2 xhaxhallarëve të tij Faik dhe Rakip Martinaj, u gjetën 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.
Kontrolli ishte me vendim të gjykatës në funksion të hetimeve që po kryhen për zhdukjen e Ervis Martinajt, por edhe pas këtij aksioni, policia nuk e ka një përgjigje nëse i shumë kërkuari tashmë i zhdukur që prej muajt gusht, është gjallë apo ka vdekur. Kontrollet nisën orët e para të mëngjesit të sotëm dhe zgjatën për rreth 5 orë në të gjithë zonën e Fushë Kuqes në Kurbin, aty ku ndodhet edhe banesa e Martinaj.
Po kontrollet në banesën e tij, ishte vetë Martinaj që i kishte paralajmëruar, vetëm pak para se të zhdukej. Prokuroria e Laçit, që po ndjek hetimin e zhdukjes misterioze të biznesmenit Ervis Martinaj, ka konfirmuar gjatë verifikimeve të saj, në një komunikim të thatë, që Martinaj ka kryer me xhaxhain e tij, përmes aplikacionit “Telegram”.
Mesazhi është dërguar pasditen e 9 Gushtit, nga Martinaj në orën 19:21, duke njoftuar xhaxhain e tij, Rakip Martinaj, me përmbajtjen: “…Kujdes, se mund të ketë kontrolle…”.
Ky mesazh pas 3 minuta është parë nga gruaja e Rakipit, L.Martianj, e cila është dhe nëna e Brilantit, tw riut të ekzekutuar në 17 korrik 2022, në masakrën e Fushë-Krujës. Ajo në momentin që ka parë mesazhin e mbërritur nga Ervisi, në telefonin e burrit të saj, në orën 19:24 të datës 9 Gusht, ka shkruar: “…A je mirë? Nga kush nga policia apo nga…….”.
Pas këtyre fjalëve të thata, telefoni i Ervis Martinaj, nuk ka pasur asnjë sinjal dhe nuk është dhënë asnjë përgjigje. I vënë në dijeni nga gruaja, për këtë situatë jo normale, Rakip Martinaj, dhe të afërmit e tjerë kanë telefonuar “mbretin” e lojërave të fatit, por sërish askush nuk përgjigjej përtej telefonit.
Kjo solli shqetësim të mëtejshëm brenda familjes, duke u impenjuar jo vetëm me burimet njerëzore të tyre, por duke kërkuar dhe ndihmën e organeve shtetërore, për të kryer hetime me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së Ervis Martinaj. Prej asaj date zhdukja e Martinaj, vijon të mbetet ende mister, duke ngritur dyshime të forta, përmes një ekzekutimi të mundshëm apo për një skenar tërheqje nga aktiviteti i zakonshëm.
Gazeta Shqip