Si grabitej prona intelektuale në diktaturë, intelektualët titanë që ngelën skllevër dhe anononimë. –
Nga: Leka Ndoja.-
Është fjala për një ushtri e tërë njerëzish të zotë që në periudhën e socializmit punonte në hije. Shpina të kërrusura mbi fletë të bardha e libra, që përkthenin nga rusishtja, anglishtja, italishtja, osmanishtja… Emri i tyre nuk përmendej kurrë. Një pjesë ishin të burgosur, ish-të dënuar, të persekutuar, të dënuar nga pushteti popullor, me njolla në biografi, por edhe ata që ishin thjesht të punësuar ishin krejt anonimë. Të gjithë ishin përkthyes të “klasikëve” marksistë-leninistë, për llogari të shtëpisë botuese “8 Nëntori”. Një redaksi e veçantë merrej me veprën e Enver Hoxhës.
Në veprën e tij hulumtuese “Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri (1944-1990)”, autori Leka Ndoja na tregon se si grabitej prona intelektuale në diktaturë. Kush ishin përkthyesit dhe redaktorët në hije, si përgatiteshin librat e Enver Hoxhës, si tjetërsoheshin, grabiteshin veprat e intelektualëve shqiptarë nga pushtetarët e kohës. Rasti i radhës është “Fjalori filozofik” i bashkautorëve Servet Pëllumbi dhe Fiqret Spahiu, ku në vend të këtij të fundit, u vu emri i ish-drejtoreshës së Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, Fiqirete Shehu.
Leka përmend breza intelektualësh që u morën me klasikët e marksizëm-leninizmit, por edhe klasikët letrarë, të cilët bënë një punë të detyruar prej skllavi, si, nëkohën e luftës, Zef Mala me përkthimin e “Manifestit Komunist” të Marksit dhe Tajar Zavalani me përkthimin e romanit “Nëna” të Gorkit; më pas grupi i shkrimtarëve të persekutuar të viteve të para të luftës, Jusuf Vrioni, Mihal Sherko, Mihal Zallari, Bujar Doko, Halit Selfo, Ali Hashorva, Hamit Kokalari, Vexhi Buharaja, Kudret Kokoshi, Pjetër Arbnorit, Ajet Rusi, Lazër Radi, At Pjetër Mëshkalla, Edmond Tupja etj. E veçantë dhe që askush nuk e ka zënë në gojë, ka qenë puna e Xhavit Qesjes në burg dhe internim, i cili ka përkthyer pjesnën më të madhe të “Kapitalit” të Marksit.