“S’i kontrollon njeri, larg qoftë nëse janë të helmuara”, produkte të ndaluara shiten lirshëm në kangjellat e shkollave
28 Shkurt 2024
Në muajin shtator 2023, ministri Balla foli publikisht për perimetrin e sigurisë, që do të jetë 50 m në distancë ajrore nga shkollat, si dhe për rëndësinë e parandalimit të shitjes së lëndëve narkotike: cigareve apo dhe produkteve nga ambulantët për të miturit në shkolla.
Në vitin 2018 u bënë disa ndryshime në ligjin 9158 për përdorimin e alkoolit tek të miturit, ku u shtua se përveç alkoolit, do të ndalohej edhe përdorimi i pijeve energjike apo të gazuara.
Emisioni “Stop” ka bërë një vëzhgim në shkollat 9-vjeçare dhe situata është njëlloj, kaotike. Në kohën e pushimit, nxënësve u shiten produkte të papërshtatshme në kangjellat e shkollës, apo në kioskat përballë.
Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit, tregon se kjo situatë është shumë shqetësuese. Perimetri i sigurisë nuk zbatohet dhe nxënësit janë të rrezikuar.
Ndriçim Mehmeti: Në shtator na u premtua që pas 90 ditësh do të kishte një udhëzim, madje do kalonte në parlament. Mesa di unë nuk ka kaluar në parlament dhe nuk e di, ne jemi këtu në shkollë dhe nuk e di ç’përmban perimetri i sigurisë. Që do të thotë: ku fillon dhe ku mbaron, kush e kontrollon këtë perimetër të sigurisë për ushqime, për sherret që ndodhin, për çështjet që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e orës mësimore. Janë absolutisht të ndaluara. Këto tani, jo vetëm që shiten brenda lokaleve, ku fëmijët i marrin pa asnjë problem, përfshirë edhe pijet alkoolike, por këta po shesin edhe në dyert e shkollave. Këtu s’i kontrollon njeri dhe larg qoftë nëse ato janë të helmuara, ne nuk dimë kush është personi që ka shitur. Ne kemi zero mundësinë e kontrollit mbi ta. Të ndërhyjë shërbimi psiko-social, oficeri i sigurisë, por padyshim, përveç kësaj, mendoj që ajo që quhet taskforca, duhet të veprojë çdo ditë. Pra, të ndalohen urgjentisht ushqimet.
Gazetarja: A duhet të hapen dyert e shkollave? Po flasim gjatë kohës së pushimit.
Ndriçim Mehmeti: Absolutisht! Po të shkosh, në të gjitha shkollat thuhet ndalohet hyrja e prindërit, e jo më e atyre… Ndalohet për shkak se ne, për fat të keq, shumicën e shkollave e kemi në anë të rrugës dhe ti mund të pësosh një aksident automobilistik, sepse nuk ke ndonjë mbrojtje shumë të madhe.
Nga ana tjetër, Mirgit Vataj, Drejtor i Urdhrit të Punonjësve Socialë, thotë se zgjidhja mund të arrihet nëse bashkohen të gjitha strukturat.
Mirgit Vataj: Ajo çka është për të ardhur keq është që, akoma nuk kemi një efektivitet në monitorimin dhe në evidentimin e të gjithë këtyre rasteve. Dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm, duke filluar që nga shkolla; pjesa e ndërgjegjësimit të fëmijëve. Stafi psiko-social i shkollave, punonjësit social të shkollave duhet të flasin me fëmijët për problematikën që shfaq pjesa e pijeve energjike, pra dëmtimet serioze që shkaktojnë tek shëndeti i fëmijëve pijet energjike. E dyta është që oficerët e sigurive në shkolla duhet të jenë shumë të vëmendshëm. Pra, nëse shikojnë që brenda perimetrit ose në afërsi të perimetrit të shkollës, ka tregtarë apo dyqane dhe markete të cilët tregtojnë, duhet t’i raportojnë. Duhet të jetë në fokusin e tyre edhe çështja e pijeve energjike. Pra, të evidentohen të gjitha ato pikat të cilat tregtojnë pije energjike për fëmijët dhe sigurisht që të zbatohet të gjitha masat ligjore që parashikon kodi i vitit 2018.