Si lexohet “Paketa II” për Covidin

13, prill 2020

Nga Klodian Tomorri*

Me prezantimin e paketës së dyte të masave ekonomike për pandeminë llogaritë janë si më poshtë:

Mbi 61 mijë të vetëpunësuar në biznesin e vogël marrin 26 mijë lekë në muaj për tre muaj. Pra 72 mijë lekë për njeri. Fondi total është 4.4 miliardë lekë ose 40 milionë dollarë amerikan.

Mbi 173 mijë punonjës të tjerë të bizneseve të mëdha marrin 400 mijë lekë si transfertë unike one-off. Gati 7 miliardë lekë ose 63 milionë dollarë.

Mijëra qytetarë të tjerë në skemën e ndihmës ekonomike përfitojnë dyfishim pagese.

Totali i transfertave direkte Cash për 230 mijë të punësuar ose të vetëpunësuar dhe familjet në ndihmë ekonomike shkon në 130 milionë dollarë ose gati 1 për qind e Prodhimit Kombëtar. Në përqindje të PBB-së paketa e transfertave cash, që po jep qeveria shqiptare është e barabartë me atë të SHBA-ve. Ndërsa në rajon rezulton më e madhja, përjashto Serbinë.

Përtej transfertave, qeveria ka marrë përsipër pagesën me paratë e taksave të interesave të kredive që do marrin bizneset nga linja e garancisë sovrane, tashmë e zgjeruar në 250 milionë euro. Pra bizneset mundë të marrin kredi për rroga, kapital qarkullues dhe investime me 0 për qind, ndërsa interesin prej 2.85 për qind bankave do ja u paguajë qeveria. Efekti financiar i interesave mund të shkojë deri në 14 milionë dollarë.

Në krahun e të ardhurave, është vendosur shtyrje e tatim fitimit për të gjithë bizneset (përjashto ato që janë hapur realisht) deri në shtator, ndërsa për një kategori biznesesh deri në 31 dhjetor.

Nëse shton garancitë sovrane, ndihmat ushqimore dhe masat e tjera bëhet fjalë për një paketë që shkon mbi 4 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Përpara se të akuzoni një qeveri se nuk po jep para, mbani gjithmonë në mend diçka. Nuk ka gjë tjetër që qeveritë bëjnë më mirë dhe më me qejf se sa të shpërndajnë para. Ne fakt gjithë kohën, vetëm këtë bëjnë.

Arsyeja se pse Rama lëshoi një paketë të shtrënguar në fillim, nuk ishte se nuk donte të jepte para, por sepse nuk kishte. Shqipëria ishte drejtuar në një krizë të frikshme likuiditeti.

Tani që qeveria mori 175 milionë euro nga FMN, 170 milionë euro të tjera me dy transhe nga BE dhe 100 milionë nga tregu i brendshëm të denominuara në euro, filloi të bëjë atë që di të bëjë mirë. Të shpërndajë para.

Ah dhe një gjë. Nuk janë paratë e Ramës këto. Mbajeni mend edhe këtë, kur të akuzoni prapë qeverinë se pse nuk jep para.

***

*Gazetar ekonomie