Si ndikon COVID-19 në çrregullimet neurologjike

8 shkurt 2021

Dr. Sokrat XHAXHO*

Për të trajtuar një sëmundje, në veçanti COVID-19, një sfidë e madhe është informimi mbi këtë sëmundje. Sa më tepër të njohim virusin COVID 19 aq më të sigurtë do të jemi, ne mjekët, vetë të sëmurët si edhe familjarët e tyre në përballimin e sëmundjes dhe të ndërlikimeve që ajo jep.

Në një publikim të fundit të revistës amerikane Neurology , Dr. Frontera shpjegon se sa të shpeshta janë komplikacionet neurologjike nga COVID-19, të çfarë natyre janë ato dhe si duhet të perballemi me to.

Kjo na ndihmon ne mjekëve të kuptojmë se cilët të sëmure me COVID-19 paraqesin komplikacione neurologjike dhe, gravitetin e tyre, dmth sa rëndë i paraqesin këto komplikacione dhe prognozën e tyre.

Në një studim të publikuar në këtë reviste u pa se 13 % e pacientëve me COVID-19 ( bëhet fjalë për të sëmurë të hospitalizuar për shkak të COVID-19 ) paraqesnin çrregullime neurologjike që nuk  kishin patur më parë, para se të semureshin nga Covid.

Këto çregullime përfshinin:

Gjendje Konfuzionale ( 54% ) ku kemi një Encefalopati toxio-metabolike.

Aksidente CerebroVaskulare Ishemike ( Infarkte të Trurit ) në 14% të të sëmureve me COVID-19.

Kriza Epileptike në 12% të rasteve dhe Dëmtim të trurit nga pamjaftushmëria e furnizimit me Oksigjen ( çrregullime hypoxike ) në 11% të rasteve.

Nuk u pa asnjë rast me infeksion direkt të trurit ( Encefalite ) ose të cipave të trurit ( Meningite ) ose të palcës së kurrizit ( Mielit ). Në lëngun truro-shpinor të këtyre të sëmurëve nuk u gjetën shenja të virusit. Ndoshta detrsi respirator akut, ndoshta sepsisi, oksigjenimi deficitar, presioni i ulët i gjakut, dëmtimi akut i veshkave mund të ketë çuar në këto komplikacione neurologjike.

Më tepër, nga të sëmurët me COVID-19 që shfaqën çrregullime neurologjike, ishin subjektet e moshuara, diabetiket, meshkujt më tepër se femrat.

Për shumicën e pacientëve (54%), shenjat neurologjike u shfaqen 2 ditë pas fillimit të shenjave të COVID-19 ( temperaturë e lartë, kollë, të perzjera, të vjella, diharre ). Në 43% të të sëmurëve, shenjat neurologjike u shfaqen menjëherë me shenjat e COVID-it dhe vetem në 2% të të sëmurëve shenjat neurologjike paraprinë shenjat e COVID-it.

Simptomat Neurologjike e komplikuan ecurinë e të sëmurëve me COVID.

Tek këta të sëmurë me COVID, plus me simptomat neurologjike qendruan shumë më gjatë të shtruar në spital dhe vdekshmëria në ta ishte më e lartë në krahasim me të sëmurët me COVD por pa simptoma neurologjike.

Të sëmurët me Encefalopati Toksiko-Metabolike paraqesin konfuzion, halucinacione, janë të axhituar, çrregullime te gjumit, çrregullime të të folurit. Duhet theksuar se këto simptoma jane kalimtare dhe nuk jane rezultat i demtimeve definitive ( të përhershme ) të trurit.

Me trajtimin e sëmundjes bazë, në këtë rast të COVID-19 edhe këto simptoma fillojnë të përmirësohen deri në zhdukjen plotësisht të tyre.

Përsa i perket Krizave të Epilepsies, ato mund të shfaqen në të sëmurët me COVID-19, të cilët nuk kanë shfaqur asnjeherë më parë kriza të tilla, ose në të sëmurët me Epilepsi, mund të shpeshtojnë frekuencen e tyre.

Këto kriza quhen edhe “Kriza te Provokuara“ sepse kanë shkak COVID-in dhe jo dëmtimin e trurit. Këto kriza trajtohen njëlloj si gjithë krizat e tjera të Epilepsisë me të njejtat medikamente.

Me shërimin e të sëmurit nga COVIDI, këto kriza nuk shfaqen më dhe nuk është e nevojshme që të sëmurët të marrin mjekim për një kohë të gjatë.

Pra, siç e shohim përdite, COVID-19 është shumë infektues, dhe shumë i dëmshëm. Ai prek të gjitha organet. Prek edhe Sistemin Nervor.

Prekja e Sistemit Nervor e bën të sëmurin ta vuajë edhe më shumë sëmundjen. Ecuria është më e pasigurtë dhe vdekshmeria më e madhe.

Rruga më e mirë për të evituar këto komplikacione është të evitohet infeksioni nga COVID, të mbahet sa më larg ky virus.

*Mjek Neurolog në Shërbimin e Neurologjisë QSUNT

Nga: Gazeta Dita