Si po i zhdukim pyjet në vendin tonë. Ekspertët: Mbrojnë tokën 85% nga erozioni
Si po i zhdukim pyjet në vendin tonë. Ekspertët: Mbrojnë tokën 85% nga erozioni
16 MARS 2021
Prerja dhe djegia masive e pyjeve janë një tjetër faktor që favorizojnë rritjen e erozionit. Nëse një sipërfaqe toke nuk është e mbuluar me mbulesë bimore atëherë reshjet e shiut mund të shatojnë rrëshqitje të saj.
“Pyjet e zhvilluar mund të mbrojnë deri në 85 % mund të reduktojnë sasinë e erozionit që ndodh në një moment të caktuar, sepse 85% e reshjeve në pyjet e dendura nuk bien në tokë” u shpreh Sherif Lushaj, Planifikimi Urban, Universiteti “Polis”
Fondi pyjor shqiptar është zvogëluar në mënyrë të ndjeshme dekadat e fundit. Pas viteve 90-të kemi humbur rreth 250 mijë hektarë pyje si pasojë e prerjeve masive, ndërkohë që vetëm për periudhën 2007-2019 janë djegur rreth 338 mijë hektarë pyje, që përbëjnë 1/3 e sipërfaqes së fondit pyjor Kombëtar.
Zhvillimet më intensive për erozionin filluan pas viteve 90-të, sidomos me shpyllëzimin e tejskajshëm.
“Ne futemi ndër vendet e para në rajon dhe e krahasuar edhe me Kosovën apo Maqedoninë, ku ne kemi humbur statistika të konsiderueshme pyjore” Fatbardh Sallaku, Rektor në Universitetin Bujqësor
Rritja vjetore natyrore e pyjeve tona llogaritet në rreth 1.4 milion m3/vit. Ndërkohë që prerja e pyjeve tejkalon rritjen me 2 deri në 2.5 herë, duke kapur shifrat 2.5 deri në 3 milion m3 në vit.
Nëse në vitin 2006 Shqipëria kishte një fond pyjor prej 81.05 milion m3 lëndë drusore, në vitin 2019 kjo shifër është 54.847 milion m3 lëndë drusore. Pra, vetëm 15 vitet e fundit, Shqipëria ka humbur rreth 26.2 milion m3 lëndë drusore e cila përbën një vlerë bruto prej rreth 1 miliard Euro.
Politikat energjitike gjithashtu janë në disfavor të pyjeve. Kjo pasi përdorimi i druve të zjarrit rezulton të jetë rreth 3-4 herë më i leverdishëm se burimet e tjera si energji elektrike, gaz, karburant, duke kontribuar kështu në rrënimin e fondit pyjor.
Pikërisht për shkak të këtyre situatave, pyjet në Shqipëri, ndryshe nga çdo vend i Bashkimit Europian apo shumicës së vendeve të botës, rezultojnë çliruese të gazeve serrë me rreth 2 milion ton dioksid karboni në vit ose rreth 25% të totalit të emetimeve të gazeve serrë që çliron Shqipëria.
“Vetëm 51 % e sipërfaqes është e mbuluar, pas 90-ës janë prerë 250 ha pyje. Ka ndikuar prerjet e pyjeve, zjarret që bëhen faktorë shumë i rrezikshëm për shtimin e erozionit. Në vitin 2007, zjarret pothuajse kanë përfshirë 82 mijë hektarë vetëm gjatë verës. Në atë periudhë është djegur edhe gadishulli i karaburunit dhe ne bëmë një matje, kishte rënë vetëm një shi dhe ishte humbur 12ton/ha” u shpreh Sherif Lushaj,Planifikimi Urban “Universiteti Polis”.
Gazeta Shqip