Si shiten dhe blihen ilegalisht temat e diplomave universitare
23 Shtator 2022
Një studente e quajtur Ana pranoi se e kishte blerë diplomën me 250 euro.
Temat e diplomave për nivelin Bachelor janë 150-200 euro dhe për Mastër shkon deri në 350 euro.
Shitja dhe blerja e temave të diplomës është një fenomen mjaft shqetësues e i përhapur. Në rrjete sociale ekzistojnë faqe dhe grupe të caktuara të krijuara që shërbejnë për të rënë në kontakt me personat që i kryejnë këto shërbime me pagesë.
“Shitësit” e temave të diplomave jo vetëm që të punojnë diplomën por dhe të japin ide për tema, madje të garantojnë cilësi maksimal dhe nota nuk do të jetë kaluese por 9 ose 10.
Shanset që në “Facebook” apo “Instagram” të ju dalin të sponsorizuara faqe “Punojmë tema diplome”, “Porosit tani diplomën dhe përfitoni ulje të çmimit” janë të larta.
Për aq kohë sa autoritet po e kalojnë në heshtje këtë shkelje,diplomat po shiten dhe po blihen masivisht.
Stafi i “Shqipëria Live” ka kontaktuar disa faqe në “Instagram”, të cilat bëjnë punime diplomash kënddrejtë pagesës.
Nga komunikimet e shkëmbyera në “Instagram” temat e diplomave për nivelin Bachelor janë 150-200 euro dhe për Mastër shkon deri në 350 euro. Gjithashtu sipas “shitësve” diplomat kanë sistem antiplagjaturë.
Në një lidhje telefonike me emisionin “Shqipëria Live” ishte sot një studente e quajtur Ana, e cila pranoi se e kishte blerë diplomën me 250 euro. Ajo nuk zbuloi nëse ka studiuar në Universitet publik apo privat, por tha se ka mbaruar masterin në Administrim Biznes.
“Nuk e kam punuar vetë temën e diplomës, e kam gjetur në një faqe në internet dhe më kushtoi 250 euro.
Nuk kisha mundësi të bëja vetë dhe mu duk mënyra më e thjeshtë për ta bërë duke paguar. Nuk kisha kohë, pasi do e bëja vetë sigurisht. Kam pasur një mesatare 8 dhe në diplomë mora 9.
Jam e kënaqur. Lekët që pagova ja vlejtën se ishte një rezultat shumë i mirë.
Nuk pati asnjë problem nga pedagogët, ishte përgatitur shumë mirë nga faqja. Pedagogut udhëheqës ja nisja pjesë-pjesë ecurinë e temës së diplomës.
Nuk ka pasur shumë pyetje nga pedagogu”, tha Ana.
Nga Gazeta Sot