Si sot, 88 vjet më parë… – Gjendet mu në mes të sheshit kryesor, Gjirokastra kremton përvjetorin e ndërtimit të statujës së Çerçiz Topullit
Si sot, 88 vjet më parë… – Gjendet mu në mes të sheshit kryesor, Gjirokastra kremton përvjetorin e ndërtimit të statujës së Çerçiz Topullit
– 08.02.22
Plot 88 vite kanë kaluar që nga data 8 shkurt 1934, kur në qytetin e lashtë të Gjirokastrës u përurua monumenti i Çerçiz Topullit, vepër e skulptorit të madh kombëtar, Odhise Paskali.
Monumenti u ngrit me ndihmat e mbledhura nga populli dhe mërgimtarët shqiptarë jashtë vendit. Ideja për ndërtimin e statujës së Çerçiz Topullit u dha, që kur ai ishte gjallë, nga shqiptarët e Amerikës, në maj të vitit 1908, në gazetën “Kombi”, që botohej në Boston, më pas gazeta Dielli u bëri disa herë thirrje shqiptarëve të Amerikës, vecanërisht gjirokastritëve, që ta mbështesinin këtë projekt për të nderuar heroin Kombëtar.
Nismën për ndërtim e mori Xhevat Kallajxhiu, drejtor i gazetës “Demokratia” të Gjirokastrës. Ai më 19 shkurt të vitit 1928, organizoi një mbledhje për këtë qëllim, në sallën e kinema “Ideal” të qytetit, ku merrnin pjesë shumë qytetarë gjirokastritë si dhe të ftuar nga qytete tjera të Shqipërisë.
Në këtë mbledhje u vendos për ngritjen e statujës së Çerçizit dhe, me propozim të z. Xhevat Kallajxhiu, u krijua komisioni i posaçëm, i përbërë prej këtyre zotërinjve: Beso Gega, kryetar, Galip Çano, nënkryetar, Vasil Lito, Aleks Çaçi, Xhevdet Xheneti, Sami Kokalari, Foto Tola, Elmaz Haderi, Bame Mezini; Xhevat Kallajxhiu, sekretar-arkëtar.
Kush ishte Çerçiz Topulli?
Vëlla i vogël i Bajo Topullit, Çerçiz Topulli ka qenë ushtarak i Perandorisë Osmane, kryetar çetash në periudhën e Lëvizjes Kaçake dhe kundër grekëve gjatë Luftës së Parë Ballkanike.
Më 1906, nën drejtimin e një çete shfaqet me vrasjen e metropolitit të Korçës. Veprim të cilit i dolën për zot në numrin e 15 nëntorit të gazetës Drita, si hakmarrje në nder dhe të mirë të kombit, për vrasjen e Papa Kristo Negovanit. Sipas varianteve të tjera, akti u krye si hakmarrje për vrasjen e Spiro Kosturit.
Në pranverën e 1907 duke drejtuar një tjetër çetë, ku u përfshi edhe Mihal Grameno, nisi veprimtarinë e vet në propagandimin nëpër fshatrat e vilajetit të Janinës dhe Manastirit. Pranverën e 1908 vendosën të vrisnin binbashin e xhandarmërisë së Gjirokastrës, gjë që solli edhe një përleshje të shkurtër me trupat osmane, në Mashkullorë. Përleshje kjo e shpërpjesëtuar mes 5 kaçakëve dhe mbi 100 trupave të ardhura nga Janina, e cila u përcoll dhe iu kënduan këngë dhe u njoh si Lufta e Mashkullorës.
Autoritetet osmane në Gjirokastër kishin arritur të mënjanonin ndikimin e tij në qytet duke shfrytëzuar antagonizmat lokale dhe duke e bindin parinë se Çerçizi më shumë se një hero kombëtar ishte hajdut dhe tradhëtar, sepse kishte simpati për Italinë; gjë që gjeti mbështetje te Myfid bej Libohova, kundërshtar i Topullarëve.
Nëntorin e 1908 shoqëroi të vëllanë, Bajon, në punimet e Kongresit të Manastirit.
Mjedisi familjar në të cilin u rrit e sidomos vëllai më i madh Bajo Topulli, ndikuan në formimin e tij si atdhetar i vendosur. Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit të Fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë” në Gjirokastër.
Gdhendi skulpturën e Çerçiz Topullit- Kush është Odhise Paskali?
Odhise Paskali ishte skulptor shqiptar, dhe cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.
U lind në Përmet, i biri i Paskal Thanasit dhe Kaliopesë së Lami Papadhimitrit. I ati në fillim qe sekretar në administratën turke të duhanit në Dishkatë e Kozhan dhe më pas prift në Koblarë, Miçan, Frashër, Zavalan e Soropull të Dangëllisë, në Lipe e Leusë pranë qytetit të Përmetit dhe në Bënjë të Shqerisë.
Në hapësirën e viteve 1903 – 1919, ka jetuar e qëndruar pranë familjes, me prindërit, Paskalin e Kaliopin, si dhe me tri motrat, me Uraninë, me Angjeliqinë dhe me Elpiniqin, në qytetin e Përmetit (1903 – 1910, 1914 – 1919, me disa muaj qëndrimi larg qytetit gjatë vitit 1916), në Koblarë (1911 – 1914) dhe në Frashër (nga maj deri në shtator apo tetor 1916). Më 1919 ai shkoi në Itali, ku më 1923 kreu Liceun dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, ku më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.
Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat:
“I urituri”,
“KETI”,
“Malësori”,
“Luftëtari Kombëtar”, në Korçë
“Themistokli Gërmenji”, në Korçë;
“Ushtari i panjohur”,
“Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968;
“Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë;
“Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968;
“Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”
“Isa Boletini”
“Fan Noli”
“Onufri”
“Jeronim De Rada”, në Tiranë
“Pashko Vasa”
“Zef Skiroi”
“Çerçiz Topulli”
“Naim Frashëri”
“Vojo Kushi”
“Migjeni”
“Enver Hoxha”
“Idriz Seferi”
“Ahmet Zogu”