Si u mor vendimi për mbylljen e protestës, konsultimet e Bashës me…

17 shkurt 2019

Juxhin Mustafaraj/ Opozita e mbylli protestën e saj përpara Kryeministrisë kur kishin kaluar 4 orë e 40 minuta nga nisja e tubimit. 

Vendimi që u komunikua nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, u mor pas një konsultimi që drejtuesit e opozitës zhvilluan mes tyre në sheshin përpara Këshillit të Ministrave. Pjesëmarrja e qytetarëve, rezistenca, por edhe bombat e shumta molotov që u hodhën drejt protestuesve, ishin disa nga arsyet kryesore, të cilat drejtuesit e opozitës morën në konsideratë për të njoftuar protestën e radhës.

 

I ndodhur në sheshin pranë Kryeministrisë përgjatë gjithë zhvillimit të protestës, Basha kërkoi një konsultim me aleatët përpara se të vendoste të falënderonte qytetarët dhe t’i njoftonte se përballja e radhës për largimin e Kryeministrit Rama do të jetë të enjten e ardhshme në sheshin përpara Parlamentit.

Kreu i PD-së, Basha, u konsultua për këtë vendimmarrje me ish-Kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, kreun e PR-së, Fatmir Mediu, dhe deputetët e Grupit të tij Parlamentar, Ervin Salianji, Agron Shehaj dhe Flamur Noka.

Burimet i thanë “Panorama”, se në diskutime është kërkuar ndërprerja e protestës për shkak se kreu i qeverisë nuk ishte prezent në godinën e Kryeministrisë dhe vijimi i saj ditën e enjte kur Rama duhet të jetë në Parlament. Për këtë arsye, Basha kërkoi nga qytetarët ta vijojnë betejën deri në përmbysje totale të regjimit të instaluar prej Ramës. “Le të zotohemi sot se kjo kryengritje qytetare do të vazhdojë deri në përmbysjen totale të këtij sistemi të kalbur dhe t’ju ftoj të enjten në orën 10:00, në protestën tjetër më të bashkuar dhe të vendosur se kurrë.

Ne do të vazhdojmë të jemi të vendosur kundër qeverisë hajdute. Ditën e enjte, populli do t’i japë një përgjigje tjetër narkoshtetit, duke marrë fatin në duart e tij”, deklaroi Basha. Pas përfundimit të protestës, kreu i PD-së zhvilloi një takim me kryetarët e degëve lokale të PD-së në rrethe, ku përcaktoi edhe axhendën për protestën e 21 shkurtit, që do të zhvillohet përpara Parlamentit. Sipas drejtuesve të PD-së, udhëzimi i marrë nga kreu i saj ka qenë sigurimi i transportit për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të jenë pjesë e protestës dhe një pjesëmarrje sa më e lartë përpara Parlamentit. /

PANORAMA