Si u zbulua alfabeti origjinal i “Anonimit të Elbasanit”. –

– Nga Bardha Nergjoni.

  • Dorëshkrimet e para të shqipes me alfabet orgjinal të harruara në arkiva

Dhimitër Shuteriqi: Papa Totasi nga Valshi, alfabeti në Polis, autori mendohet Bogomili

 Dorëshkrimi me alfabetin e veçantë që u pagëzua me autor “Anonimi i Elbasanit” u dorëzua në arkiva rreth vitit 1949 dhe ndër studiuesit e parë  të tij ka qenë Dhimitër Shuteriqi.

I vetmi ndër emrat e dëshifrueshëm që përmban kapaku i dorëshkrimit dhe që i përshtatet të njëjtës bojë si shkrimi, është ai i Papa Totasit si autor i tekstit. Dorëshkrimi është vendosur në shekullin e XVII dhe mendohet se është produkt i shkrimeve gjatë shekujve të herezive të mëdha ballkanike që u njohën me emrin “Bogomilizmi”.

Ky dorëshkrim është më i vjetër se fjalori i Dhaskal Todrit dhe fakti që e konfirmon këtë gjë, sipas studiuesve është gjuha e përdorur e cila është më e vjetër se ajo e Todhrit.

Dhimitër Shuteriqi gjurmoi autorësinë e këtij dorëshkrimi duke kërkuar edhe në kodikë, dokumente të vjetra të autorëve elbasanas, etj.

Origjina e dorëshkrimit u zbulua nga Shuteriqi vetëm në vitin 1956 nëpërmjet një marangozi elbasanas në Kala, Ilia Spiro Xhufka. Xhufka ka dëshmuar se dorëshkrimin bashkë me disa libra të vjetër, Losh Papamihali, shok i Kristoforidhit, e kishte blerë një shekull më parë nga një fshatar prej Polisi i quajtur Haxhi Tarushi dhe, sipas Xhufkës, ky dorëshkrim ishte i kohës kur Polisi nuk ishte myslimanizuar ende.

Në rrugëtimin e dorëshkrimit tregon më tej marangozi, kur vdiq Loshi ia besoi dokumentet të nipit, gjykatësit Spiro Xhufka, dhe më vonë një pjesë e tyre përfunduan në duart e Lef Nosit, arkiva e të cilit u sekuestrua dhe u dërgua në arkivën e ish-Institutit të Shkencave. Askush nuk mundi ta deshifronte në atë kohë dorëshkrimin që përmban një fjalor origjinal të Shqipërisë së Mesme.

Kisha e Shën e Premtes në Valësh të Elbasanit

 Kush ishte Papa Totasi

Shqipja e dorëshkrimit të “Anonimit të Elbasanit” i çoi studjuesit në jug të Shkumbinit, në kryeqendrën e moçme të Shpatit, Valësh, ku ka rrënjët fisi Tatoshi. Në Valësh qysh më 1906 një mbishkrim i kishës së Shënkollit ruan emrin e një parie të vendit “Kolia Tata” dhe emri “Totë” tregon priftin.

Krahina e Shpatit është vizituar dikur edhe nga Polisi, ku viset Shpata dhe Araniti bashkëpunonin me njëri-tjetrin. Në të gjithë zonën islamizimi është arritur me vështirësi, ndërsa në Shpat islamizimi u arrit pjesërisht. Pra dorëshkrimi është gjetur në Polis ndërsa prejardhja e Papa Totasit mendohet nga Valëshi i Shpatit.

Çfarë përmban dorëshkrimi

Dorëshkrimi, sipas studiuesit Injac Zamputi ka një shtresë të dialektit toskë dhe kjo është veta e tretë njëjës “është” duke mos dalë në trajtën gege “asht” ose “ashtë”.

Gjithashtu, trajtat e “Anonimit” dhe Todhrit janë krahasuar  dhe ndryshojnë midis tyre megjithëse këto ndryshime konsiderohen të pakta. Nga krahasimi me elbasanasishten jugore del se bëhet fjalë për të folmen kalimtare por të lidhur me elbasanishten.

Në përfundim, Shuteriqi thotë se dorëshkrimi i  “Anonimit” apo Papa Totasit është në një gegërishte të vjetër.  Por, edhe pse është identifikuar Papa Totasi, mendohet se dorëshkrimi është i Theodhor Bogomilit dhe Papa Totasi ishte vetëm pronari i këtij dorëshkrimi. “Bogomil” ka kuptimin e heretikut. Në Polis dhe Mirakë, ekzistonte sekti i quajtur gregorian që njihet si skuta e fundit e heretizmit dhe njihet edhe si kryqendra e Gjergj Aranitit. Dorëshkrimi i “Anonimit të Elbasanit” njihet si i pari dorëshkrim i vjetër në shqip për shqipërinë e mesme dhe me një alfabet krejt origjinal.