15 Korrik 2023

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në nëntor të vitit të kaluar mori nën mbrojte Xhubletën. Kjo veshje, e vjetër 4 mijë vjet, dikur përdorej në jetën e përditshme, kurse sot është pjesë e aktiviteteve me karakter shoqëror, kulturor dhe etnologjik edhe në Malësi.

Xhubleta shqiptare përfaqëson veshjen më të hershme në këto treva, por njëherësh edhe tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë. Si trevë e cila ka bërë ruajtjen dhe kultivimin e kësaj veshje, jemi veçanërisht krenarë që Xhubleta është bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore si trashëgimi jo materiale.

Komuna e Tuzi, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarje të madhe, vendosi që vitin 2023 ta shpallë për Vitin e Xhubletës, gjatë të cilit do të zhvillohen evenimente, ngjarje dhe aktivitete të ndryshme.
Njëra nder aktivitetet është edhe Simpoziumi shkencor me temen “Xhubleta dëshmi e lashtësisë sonë” i cili u mbajt me 7 korrik 2023 në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit.

Sekretarja e Sekretariatit për vetëqeverisje, Marina Ujkaj në mes tjerash të pranishmëve u drejtua me këto fjalë – ,, Para së gjithash ndihem e nderuar që ju, të nderuar ligjërues pranuat ftesën tonë dhe në atë mënyrë ia dhatë rëndësinë e merituar Xhubletës, e me pjesëmarrjen tuaj ia ngritën nivelin këtij tubimi, si pjesë e manifestimeve të vitit 2023, të cilën Komuna e Tuzit e shpalli Viti i Xhubletës.”

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Komunës, Nik Gjeloshaj tha se: ,, Ne bijat dhe bijtë e xhubletës, që sot e përjetojmë atë si eksponat muzeor, ose pjesë e manifestimeve folklorike, jemi vetëdijesuar se edhe përkundër të gjitha tentativave shekullore të na shpallin fise të prapambetura, pa kulturë dhe pa të kaluar, të na shpallin deri edhe njerëz me bishta, sot mund të identifikohemi me veshjen tonë kombëtare, që ekzistonte që në ato kohë, kur kombet sot të zhvilluara identifikoheshin me vizatimet nëpër shpella si fillim i kulturës së tyre.”

Kurse, panelistët, akademik prof. dr. Anton Kolë Berishaj, sociolog, Afërdita Onuzi etnologe,
Jaho Brahaj etnolog, Drita Statovci etnologe, Prof. dr. Shaban Sinani antropolog – Akademia e Shkencave, Robert Camaj, Dr. Valon Shkodra hulumtues, Slobodan Jerkov dr. i shkencave etnologjike, prof.as.dr Elindë Dibra, Luljeta Dano shkrimtare, hulumtuese dhe koleksionistë, Zorica Mrvaleviq etnologe, Rudina Bardhi etnologe, si dhe Nikollë Berishaj, dhanë këndvështrimin e vet me të cilin shqyrtuan fenomenologjinë e mbijetesës së Xhubletës që në fakt paraqet mbijetesën dhe lashtësinë tonë si Komb.

Konica.Al