17 Prill 2025

Nga Lutfi Dervishi

Me zë të dridhur dhe mikrofonin e kryeministrisë  në dorë, një fermer në Lushnjë i shpjegoi sot Kryeministrit se toka që punon është e paregjistruar për faj të burokracisë. I tha edhe se megjithëse është në pension, i duhet të punojë që të jetojë.

Ai nuk kërkoi zgjidhje, grante, reformë në bujqësi. Asgjë . Ai e mbylli ankesën me një urim nga zemra e tij:

“Ta gëzosh mandatin e katërt!”

Nuk ju duk se kishte thënë diçka të madhe dhe shtoi: “edhe mandatin e 5 të”

Por historia e fermerit të Korçës, e bërë virale në rrjet përmes një video me zë dhe figurë, është edhe më frymezuese:

I thinjur si maja Moravës, i ndershëm si profet, me sytë nga qielli dhe me sopatë në duar, ai preu një nga dy plantacionet me mollë, jo nga inati, por nga logjika ekonomike: mollët nga jashtë vijnë më lirë.

E megjithatë, me gjysmën e prodhimit në zjarr dhe zemrën plot, ai deklaroi:

“Do votoj për PS, se ka bërë shumë reforma!”

Po, po! Reforma. Reforma që i lanë prodhimin pa treg, i dogjën fitimin, por i pastruan ndërgjegjen: tani ai s’ka dilema se kujt do t’i japë votën.

Kjo është Shqipëria e re: ku fermeri s’ka tokë, s’ka lekë, s’ka shpresë,  por ka besë. Besa e tij quhet “Mandati IV”, një fe e re që predikon: pasaportë Europiane më 2030!