Singapor, dritë jeshile përdorimit të mishit të kultivuar në laborator
Singapor, dritë jeshile përdorimit të mishit të kultivuar në laborator
Dhjetor 2020
Vitet e fundit, bota është përballur me një risi: mishin e prodhuar artificialisht. Ndërsa shqetësimet mbi pasojat mjedisore dhe etike të prodhimit të mishit vazhdojnë të rriten, shkencëtarët e ushqimit janë përpjekur të zhvillojnë mundësi më të qëndrueshme për të plotësuar nevojat për mish. Së fundmi, Agjencia e Ushqimit e Singaporit miratoi që “kultura e pulës” të shitet si përbërës i produkteve të fast-foodit, çka e bën këtë rastin e parë të mishit të rritur në laborator që fiton miratimin e rregullatorit të ushqimit.
Eat Just, një kompani start-up me bazë në Shtetet e Bashkuara, do të fillojë t’i prodhojë këto produkte në laborator për një restorant në Singapor, raporton Damian Carrington për Guardian. Por këto nuk janë “mishi i rremë”, i cili ka filluar të shitet në Perëndim.
Produktet alternative të mishit si gjeldeti tofu, suxhukët me lule frutash dhe hamburgerët vegjetalë janë bërë që të duken, shijojnë dhe ndihen si mish i vërtetë. Por “kultura e pulës” është mish i vërtetë – thjesht nuk vjen nga një pulë e therur. Për ta prodhuar, shkencëtarët fillojnë me biopsi të qelizave muskulore nga pulat e gjalla dhe më pas ata i furnizojnë mostrat me lëndë ushqyese me bazë bimore në një bioreaktor të madh për ta ndihmuar indin të rritet.
“Ky është një moment historik në sistemin e ushqimit,” thotë Josh Tetrick, shefi ekzekutiv i Eat Just. “Ne kemi ngrënë mish për mijëra vjet, dhe çdo herë që kemi ngrënë mish, na është dashur të vrasim një kafshë – deri më tani”.
Në 2019, Eat Just zbuloi se kostoja e prodhimit të një racioni të tillë ishte 50 dollarë, por kompania i ka ulur kostot e prodhimit që nga ajo kohë, dhe tani çmimi do të jetë i njëjtë me pulën me cilësi të lartë që mund të porositet në një restorant.
Ndërsa alternativat e mishit me bazë bimore kanë marrë vrull në tregun amerikan, mishi i rritur në laborator nuk është aprovuar ende. Tetrick shpreson që kjo të nxisë SHBA dhe vendet e tjera të bashkohen në garën për të prodhuar mish që “nuk kërkon të vrasësh një kafshë”, i thotë ai Guardian.
Gazeta Dita