Singapori kthen dy anijet me 800 ton materiale toksike të Belinda Ballukut, skandali me 3 ministra në fokus të…
31 Gusht 2024
Shqipëria është shndërruar në një makth për të gjitha vendet e botës për shkak të përfshirjes së vendit në tregtinë ndërkombëtare të mbetjeve toksike, të cilat hyjnë e dalin në pikat kufitare pa asnjë problem. Ky skandal që doli në dritë dëshmon se ai i Tajlandës nuk është një rast i izoluar, por me sa duket pjesë e një aktiviteti të vazhdueshëm kriminal, që dyshohet se bëhet më korruptimin e strukturave shtetërore dhe “kokat” përgjegjëse të kësaj situate, të cilat janë ministrja Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro dhe ministri Pirro Vengu, ish-drejtor i Portit të Durrësit.
Shërbimet sekrete të BE dhe SHBA vazhdojnë të nxjerrin detaje duke treguar qartë se në Shqipëri po organizohet një aktivitet i mirëfilltë mafioz me tregtinë e mbetjeve të rrezikshme. Kjo tregti është e pamundur të realizohet pa korruptimin e institucioneve shtetërore që përgjigjen për sigurinë e kufijve duke filluar nga autoriteti portual, doganat dhe më tej policia kufitare.
Singapori kthen dy anijet me bombën toksike
Mediat në Singapor zbuluan se dy anijet e ‘Maersk’ me mbetje toksike të prodhuara nga kompania ‘Kurum’ zbarkuan në portet e Singaporit më 18 dhe 24 Gusht, dhe tashmë kanë marrë rrugën e kthimit për në Shqipëri. Ndërkombëtarët kanë zbardhur dje itenerarin e plotë të anijeve me 102 kontejnerë dhe mbi 800 ton mbetje toksike nga furrat e çelikut të KURUM dhe që tregtoheshin nga kompania ‘Sokolaj” drejt Tajlandës. Sipas mediave në Singapor, anijet Maersk “Compton” me 41 kontejnerë dhe “Condor” me 61 kontenjerë me mbetje, përdorën portin “Pasir Panjang” për tranzit dhe u ngarkuan në dy anije të tjera, me destinacion kthimin në origjinë.
Të pyetur nga gazetarët nëse Singapori kishte kryer teste për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për mbetje toksike apo substance të tjera të dëmshme, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Autoriteti Detar i Singaporit u mjaftuan vetëm me përgjigjen: “Në përputhje me Konventën e Bazelit, Singapori lehtësoi kthimin e kontejnerëve në vendin e origjinës .” Sipas organizatës Basel Action Netëork, që dha alarmin për mbetjet tosike, “Shqipëria nuk u informua kurrë për eksportin nga eksportuesi, shtetet tranzit nuk u informuan dhe Tajlanda nuk mori kurrë asnjë njoftim për këto mbetje”.
Zbulimi i 800 ton mbetje toksike, të nisura nga Durrësi drejt Tajlandës vuri nën hetim nga prokuroria kompaninë turke ‘Kurum’, si të dyshuar për prodhimin e tyre. Tashmë që faktet po zbulohen nga mediat ndërkombëtare, mbetet që organet e drejtësisë të hapin menjëherë hetimet për të parë se çfarë mbetjesh kanë qarkulluar në Shqipëri, kush e organizon këtë tregti dhe deri në ç’masë është i zhytur shteti në këtë aktivitet kriminal.
Implikimi i Belinda Ballukut në skandal
Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë, Zef Preçi ka akuzuar Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Infrastrukturës për shkelje të ligjit dhe mosfunksionim të duhur në lëshimin e licencave për transportin e mbetjeve. “Dëshmia e këtij skandali është rrëqethëse dhe tregon papërgjegjshmërinë e institucioneve që janë të ngarkuara për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik,” ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila sipas tij është përpjekur për të distancuar veten nga përgjegjësitë dhe për të lënë problemin në nivele teknike dhe administrative. Preçi ka theksuar se ndonëse kompania Kurum është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Elbasan, ende mungon transparenca në raportet mbi mbetjet dhe analizat e rrezikut. “Nuk ka asnjë raport zyrtar mbi mbetjet që krijohen dhe çfarë ndodh me to,” ka shtuar ai. Sipas tij, zhvillimet në industrinë e ndërtimit kanë bërë që një pjesë e konsiderueshme e financave nga këto investime të përfundojnë në duart e Kurum, si një prej furnizuesve kryesorë të hekurit, ndërkohë që mungojnë raportet e nevojshme transparente për menaxhimin e mbetjeve të krijuara nga kompania.
Preçi ka shprehur shpresën se përfshirja e OLAF në hetime do të sjellë dritë në këtë çështje dhe do të ndihmojë në zbardhjen e të vërtetës. Ai ka theksuar se është e domosdoshme që Shqipëria të rrisë transparencën dhe të respektojë konventat ndërkombëtare që lidhen me menaxhimin e mbetjeve.
Gazeta Sot