Sixhadia Flamur e Adem Jasharit. (lajm arkiv).
– Sixhadia Flamur e Adem Jasharit. (lajm arkiv).
Data e publikimit: 18/02/2009.
Nga Jaho Brahaj.
Nga lufta legjendare e heroit Adem Jashari në Prekaz të Republikës së Kosovës, në vitin 1998, derdhën gjakun për lirinë e atdheut shumë bij të kësaj familjeje e të këtij fshati. Ne kohe mbeti qëndresa, dashuria për lirinë dhe legjenda epiko-heroike e shqiptarëve. Nga gërmadhat e shtëpive të shkrumbuara u ruajtën disa objekte-relike, që sot janë në fondin e trashëgimisë kulturore e historike të kombit.
Në Laboratorin e Institutit Kultura Popullore në Tiranë (viti, 2009), po restaurohet sixhadia-flamur, një nga 120 objektet e ruajtura nga kjo familje zëmadhe e kombit.
Prof. Frederik Stamati, përgjegjës i këtij laboratori, na thotë, se ka mbaruar faza e parë e konservimit të kësaj sixhadie, dhe po analizohet e studiohet faza e dytë, që ky objekt i rëndësishëm të bëhet i ekspozueshëm për publikun. Sixhadia është e dëmtuar më shumë se gjysma nga zjarri, që dogji dhe shtëpinë.
Ka përmasat 97.5 x 173 cm, në dy anët ka tufa me 16 cm. gjatësi, rrethohet nga një bordurë 6 cm. me ngjyrë të zezë, pastaj ka një bordurë bojë sheqere me gjerësi 22 cm. me ornamente të ndryshme. Në qendër ka fushë të kuqë me përmasa 41.5 x 173 cm, në të cilën është shqiponja e zezë e Flamurit Kombëtar Shqiptar me përmasat 31.5 x 42 cm.
Në pjesën e poshtme të fushës së kuqe kanë shpëtuar nga zjarri dy germa të plota dhe një tjetër germe e fragmentuar. Dy germat e shpëtuara janë: N, A, ndoshta një urim ose emri i gruas, që e ka punuar këtë sixhade.