Nga Thanas Muztaqi.

DY TËRMETE TË MËDHA

Durrësi është prekur rëndë në historinë e tij të gjatë nga tërmetet, sidomos në vitet 334 dhe 506 të erës sonë, si dhe në vitin 1273. Sipas sizmologëve, tërmeti i fundit ka shënuar 25 mijë viktima në atë kohë dhe ka shkatërruar plotësisht qytetin. Duke marrë parasysh vendosjen sizmotektonike të Durrësit, në bregdetin e Adriatikut, mund të thuhet se paraqesin interes dy tërmete të mëdha: tërmeti i Durrësit i 17 dhjetorit 1926 (M = 6,0-6,3, Io = IX) dhe tërmeti i 15 prillit 1979 Shqipëri -Mali i Zi (Ms = 6.8, Io = IX +). Megjithëse i fundit nuk i përket rajonit të Durrësit, epiqendra e tij ndodhej në të njëjtë sistem thyerjeje, i cili vazhdon në jug, duke kaluar përmes shkëputjes tërthore të Durrësit, thanë në studimin e tyre Siasi Koçiu & Liri Koçiu. Referimi i tyre që u paraqit në Konferencën e 17-të Ndërkombëtare të Portlandit, SHBA, titullohej “Ulja e rrezikut sizmik për qytetet bregdetare në Shqipëri”. Madje është hartuar dhe harta e mikro-zonimit sizmik të qytetit të Durrësit.

MIKROZONIMI SIZMIK

Sipas sizmologëve të njohur, është vërtetuar shkencërisht se nga pikëpamja sizmike, sitet më të rrezikshme të zonës bregdetare në Shqipëri janë qytetet e Durrësit dhe Vlorës, me shumë probleme të lidhura me 400 troje jostabile nëse në të ardhmen ndodhin tërmete. Rezultatet e studimeve të kryera për vlerësimin e rrezikut sizmik në nivel lokal mund të përdoren nga urbanistët për reduktimin e rrezikut sizmik në planifikimin fizik dhe urban, duke përfshirë në këtë proces specialistë të disiplinave të shumta, si dhe vendimmarrësit. Nga ana tjetër rekomandohet të përdoren hartat e rrezikut sizmik, të hartuara në shkallë lokale për të njëjtat qëllime për qytete të tjera të zonës bregdetare të Shqipërisë, veçanërisht për zonën Pranadriatike.
Para disa vitesh, pas një seminari të zhvilluar në Durrës me drejtues të pushtetit vendor, Prof. Siasi Koçiu, në atë kohë drejtor i Institutit Sizmologjik, i tha autorit të këtyre radhëve se në përgjithësi për projektet e ndërtimeve të reja, madje dhe për ndërtesa me 10-12 kate, në Durrës deri në vitin 2003 nuk ishte kërkuar mendimi i sizmologëve. Po ashtu, sipas Prof. Siasiut, edhe në Shqipëri, ekziston dhe rreziku i cunamit, sidomos në bregdetin Adriatik, i përqendruar në grykëderdhjen e Bunës, Durrës dhe Vlorë. Nga kronikat mësohet se sidomos tërmeti i vitit 1866 me magnitudë 6.5 ballë, shkaktoi një dallgë të madhe e cila përmbyti bregun nga Kanina në Nartë. Edhe tërmeti i vitit 1979, në Shkodër-Lezhë shkaktoi një dallgë por jo shumë të madhe.
… Vërtet, jemi “afër detit, afër mbretit”. Por jemi dhe afër tërmetit! Ta dimë të gjithë, qytetarë denbabaden, të sapoardhur nga të gjitha rrethet. Të mos ta harrojnë këtë gjë projektuesit dhe ndërtuesit.