S’ka më çmime 100 lekë, rriten biletat e muzeve e parqeve arkeologjike. Kategoritë që përfitojnë hyrje falas. –
S’ka më çmime 100 lekë, rriten biletat e muzeve e parqeve arkeologjike. Kategoritë që përfitojnë hyrje falas
27 dhjetor 2019.
Prej janarit të vitit 2020 ndryshojnë çmimet e biletave për të vizituar muzetë kombëtarë, monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike, në varësi të Ministrisë së Kulturës.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti
Përveç Parkut të Butrintit, i cili ka funksionuar mbi një skemë tjetër menaxhimi dhe dy muzeve të ngritur së fundmi, ai i Fotografisë “Marubi” në Shkodër dhe “Shtëpia me gjethe”, ku është aplikuar një biletë me vlerë 700 lekë, tarifat për të vizituar muzetë, kalatë dhe parqet e tjera, në Shqipëri, kanë qenë tërësisht qesharake. Për të vizituar Kalanë e Beratit, pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s, mjaftonte të paguaje 100 lekë apo 1 euro.
Ndërsa për të vizituar Muzeun Historik Kombëtar, mjaftonte të paguaje 200 lekë. Çmimet e rritura do të variojnë nga 200 lekë në 1 mijë lekë. Çmimin më të lartë do të vazhdojë ta ketë Parku Kombëtar i Butrintit, i cili do të jetë 1 mijë lekë. Sipas ministres së Kulturës, Margariti, e cila ka firmosur urdhrin për rritjen e çmimit të biletave, kjo nismë është ndërmarrë pas konsultimit me grupet e interesit, për të siguruar më tepër mirëmbajtje për monumentet e kulturës dhe shtimin e shërbimeve karshi vizitorëve, shpenzime këto, që nuk mund të mbuloheshin nga të ardhurat e siguruara nga biletat që kushtonin vetëm 100 lekë.
Sipas saj, kjo rritje ka ardhur si një kërkesë e vazhdueshme me vetë institucioneve, sipas të cilave tarifat e deritanishme nuk justifikonin shpenzimet që kërkon mirëmbajtja e një monumenti. Rritje pësojnë edhe çmimet e biletave që blihen online, por, sipas politikave të Ministrisë së Kulturës, ato do të jenë më të ulëta se biletat që priten në sportel. Kjo bëhet për të nxitur shfrytëzimin e këtij shërbimi të ri, që ka nisur të aplikohet prej muajit shtator dhe që u vjen në ndihmë vizitorëve, kudo ku ata jetojnë dhe operatorëve turistikë.
KATEGORITË QË PËRFITOJNË
Urdhri për rritjen e çmimeve të biletave për të vizituar muzetë dhe sitet arkeologjike parashikon edhe kategoritë që përjashtohen nga ky urdhër. Ministrja Elva Margariti shprehet se bashkë me rritjen e biletave vjen edhe shtimi i kategorive që përfitojnë hyrje falas apo reduktim të çmimit për të hyrë në muze, parqe e monumente.
Të gjithë vizitorët përfitojnë hyrje falas gjatë disa festave kombëtare e ditëve kushtuar trashëgimisë kulturore. Po ashtu, hyrja falas garantohet të dielën e fundit të çdo muaji. Ndër kategoritë që përfitojnë hyrje falas janë banorët e zonave, individët që ushtrojnë veprimtari të ndryshme brenda kufijve të parqeve apo monumenteve, të pajisur me lejen përkatëse, fëmijët deri në moshën 12-vjeçare, ish-të përndjekurit politikë, veteranët e luftës, studiuesit apo studentët që kryejnë ekspedita mësimore, guidat etj.
Ndërsa përfitojnë çmime të reduktuara nxënësit nga 12-18 vjeç, studentët, jetimët, invalidët, pensionistët, grupet e vizitorëve, më të mëdha se 12 persona etj. Mësohet se për vitin 2020, një pjesë e të ardhurave që vijnë nga shitja e biletave kalojnë në fondin e emergjencave civile, për të ndihmuar në procesin e rindërtimit të zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Gazeta Panorama