S’ka punëtorë, hotelet dhe restorantet në Durrës me sytë nga Azia të punësojnë të huaj
S’ka punëtorë, hotelet dhe restorantet në Durrës me sytë nga Azia të punësojnë të huaj
Nga OraNews
14 Prill 2022
Bizneset e hoteleri-turizmit në vend po ndeshin vështirësi në gjetjen e punonjësve. Ndaj ata detyrohen të punësojnë punonjës nga Azia, dhe veçanërisht nga Filipinet. Në Panairin e Punës që u mbajt në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit 150 biznese që operojnë në sektorë të ndryshëm prezantuan ofertat për studentët.
Në Durrës bizneset po ndeshin vështirësi në gjetjen e punonjësve.
Hotelet e restorantet kanë mungesa në staf.
Drejtoresha e një hoteli në Malin e Robit thotë se nëse nuk do të gjejë punonjës shqiptarë do të kërkojë për të huaj.
“Do të shkojmë te stafi i huaj vetëm në rast se do të jetë e nevojshme. Në rast se do kemi mundësi të shfrytëzojmë 100% potencialin që ne kemi këtu dhe pastaj do të shfaqet e nevojshme të vazhdojmë dhe me staf të huaj, patjetër që po do të funksionojë edhe kjo”, tha Ekleona Kondi, Drejtore e një hoteli.
Alban Isteri, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës shprehet se bizneset po marrin punonjës nga Azia, kryesisht Filipinet.
“Ka mangësi faktikisht në staf sidomos në disa sektorë, sektorin e turizmit dhe atë të prodhimit. Është një zgjidhje e momentin importimi i stafit të huaj sidomos nga vendet aziatike”, tha Isteri.
Për të krijuar ura komunikimi mes të rinjve dhe bizneseve në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës për të dytin vit u zhvillua Panairi i Punës dhe Karrierës.
150 biznese që operojnë në sektorë të ndryshëm prezantuan ofertat për studentët.
“Është një rast shumë i mirë për studentët të cilët mund të kenë një bashkëpunim direkt me biznesin” tha kryebashkiakja e Durrësit.
Vitin e shkuar sipas të dhënave të Universitetit të Durrësit panairi mundësoi punësimin e afro 200 studentëve.