‘S’kam nevojë të më tregojnë detyrat’, Kim i përgjigjet Ramës: Silluni si një vend i NATO-s e aspirant në BE, respektoni votuesit me kandidatët
‘S’kam nevojë të më tregojnë detyrat’, Kim i përgjigjet Ramës: Silluni si një vend i NATO-s e aspirant në BE, respektoni votuesit me kandidatët.
3 shkurt 2021
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili dje në një konferencë për rindërtimin iu përgjigj diplomates së SHBA që të mos i kujtonte detyrën e tij për mos kandidimin e kandidatëve me precedentë penalë në zgjedhjet e 25 prillit.
Kim me anë të një reagimi në rrjete sociale shprehet se pastrimi i listave të kandidatëve nuk duhet bërë sepse kështu thonë ambasadorët, por sepse politikanët e kanë detyrë zbatimin e ligjit shqiptar, në respekt të votuesve.
Për më tepër Kim, shprehet se mos futja e kandidatëve me precedentë penalë është ajo që presin partnerët e Shqipërisë, NATO dhe BE. Ambasadorja Kim thekson se pastrimi i listave nga kandidatët problematik është shenjë respekti edhe ndaj qytetarëve shqiptarë.
“Drejtuesit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thonë kështu ose sepse SHBA e kanë bërë të qartë se lufta ndaj korrupsionit është prioritet. Ata duhet ta bëjnë këtë sepse kërkohet nga ligji shqiptar, është ajo që pritet nga një vend aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së, dhe kjo është një shenjë themelore e respektit për votuesit”,- shkruan Ambasadorja Yuri Kim në mesazhin e saj.
Gazeta Dita.