
– SKANDAL/ Edi Rama takon dëshmitaren e Veliajt, ndërhyrje flagrante në procesin penal
9 Prill 2025
Kryeministri Rama ka takuar një prej dëshmitarëve kyç të çështjes së Erion Veliajt, menjëherë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, cfarë përbën ndërhyrje të hapur dhe flagrante në çështjet penale. Takimi mes Ramës dhe e dëshmitares Greta Domi është bërë para mbledhjes së grupit të PS, ku kreu i qeverisë nuk kurseu presionin ndaj gjyqësorit. Detaje të këtij takimi janë marrë nga vendimi i Apelit, ku citohen bisedat e përgjuara të Veliajt me bashkëshorten e tij, në të cilat flitet edhe për takimin mes Ramës dhe Domit
Edi Rama ka takuar Greta Domin, një prej dëshmitareve të çështjes “Erion Veliaj”, në atë që mund të konsiderohet ndërhyrje e hapur dhe flagrante e kreut të qeverisë në çështjet penale. Koha e këtij takimi nuk specifikohet. Megjithatë, nga konteksti i bisedave të përgjuara mes Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, duket që biseda Rama-Greta Domi të jetë kryer menjëherë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës dhe pak para se kryeministri të shfaqej në Grupin Parlamentar Socialist me gjuhë presioni ndaj gjyqësorit dhe në mbrojtje të deputetes Klotilda Bushka.
Në vendimin e zbardhur së fundmi të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, citohen një seri bisedash të përgjuara mes Veliajt, i cili ndodhet në ambientet e paraburgimit të Durrësit dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Ndër to, është një bisedë e datës 26 Shkurt 2025, ku dy bashkëshortët diskutojnë për një takim të kryer mes kryeministrit Rama dhe personazhit Greta, e cila është shtetasja Greta Domi, dëshmitare në procesin ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës.“Në orën 10.59, datë 26 Shkurt, Erion Veliaj bisedon me Ajolën, në lidhje me deklaratën e mëngjesit nga ana e kryeministrit. Ata bisedojnë edhe në lidhje me dëshmitaren Greta, ku, sipas bisedës, është takuar me kryeministrin. Erion Veliaj i kërkon Ajolës që të lidhet me Gretën dhe ta inkurajojë”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Në vijim të kësaj bisede, “Erioni i tregoi Ajolës se kryeministri mbajti një orë fjalim dhe i bëri të flasë me vete, madje mbrojti edhe Klotilda Bushkën”. Më 14 Shkurt 2025, vetëm dy ditë pasi Veliaj u arrestua me urdhër të Gjykatës së Posaçme, në vijim të një hetimi të kryer nga SPAK-u, Rama mblodhi deputetët e tij dhe mbajti një fjalim dukshëm në mbrojtje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe me një gjuhë kundër veprimeve të gjyqësorit. Në atë mbledhje, Rama mori në mbrojtje edhe deputeten Bushka, e cila, sipas hetimeve të SPAK-ut, dyshohet se ka vepruar për manipulimin e dëshimtarëve në procesin e Veliajt.
Një prej dëshmitareve, Ina Koxhaj, ka pranuar para prokurorëve se Ajola Xoxa dhe Klotilda Bushka, kanë kryer veprime për ta bindur që të mos tregojë në Prokurori për detajet që ajo di mbi veprimet financiare të bashkëshortes së Veliajt, duke i marrë edhe telefonin. Po ashtu, Koxhaj pranoi gjithashtu se Ajola dhe Bushka kanë ndikuar edhe tek dëshmitarja tjetër, Greta Domi, pikërisht tek personi që është takuar me kryeministrin Edi Rama. Sipas të dhënave gjyqësore, Greta Domi është treguar jo-bashkëpunuese me organin e prokurorisë dhe ka mohuar dijeninë e saj mbi veprimet e dyshimta financiare mes kompanive dhe organizatave që dyshohet se menaxhohen ligjërisht ose faktikisht nga Ajola Xoxa.Kjo duket se është arsyeja që Veliaj, në bisedat me bashkëshorten e tij, i kërkon kësaj të fundit që “ta inkurajojë Gretën”.
Nga: SYRI.net