‘Skandal i përmasave ndërkombëtare’/ Kanabisin e komandove në Zall Herr e zbuluan italianët
6 Gusht 2023
Një muaj më parë në samitin e NATO-s në Vilnus, Shqipëria mori angazhim se do të shtojë buxhetin deri në 2% për ushtrinë, ndërsa kryeministri Rama tha se vendi ynë është i gatshëm të shtojë trupat në operacionet luftarake. Por në vend të ndihmës për NATO-n, Shqipëria ka ofruar një skandal të përmasave ndërkombëtare, që njollos forcat më të mira të ushtrisë tonë.
Parcelat me kanabis që u gjetën dje në Zall Herr i përkasin reparti ku janë forcat elitë të ushtrisë shqiptare. Ata kalojnë një stërvitje në kushte ekstreme dhe përgatiten për goditje direkte në operacione luftarake. Një ndër funksionet kryesore të komandove të Zall Herri është edhe zbulimi special, por gjetja e 125 bimëve të kanabisit brenda në repart ka vënë në dyshim tashmë gjithçka ndodh në radhët e tyre.
Mësohet se rrënjët e kanabisit janë zbuluar nga avioni i Guardia di Finanza që monitoron territorin shqiptar. Bimët ishin rritur dhe janë pikasur menjëherë nga pajisjet e italianëve që kanë sinjalizuar policinë shqiptare.
Kanabisi ishte mbjellë në një zonë që përdoret për stërvitjen 10 ditore të ushtarëve që bëhen pjesë e forcave komando. Si pjesë e testit është braktisja në një zonë të pyllëzuar, ku ushtarët duhet të mbijetojnë për disa ditë në kushte të vështira, duke u ushqyer me bimësinë e zonës dhe duke siguruar ujin nëpërmjet teknikave të caktuara.
Por duke qenë një zonë e veçuar brenda territorit të repartit, me pak lëvizje, disa prej ushtarakëve kanë menduar të kultivojnë kanabis në terrenin e vështirë. Gjithsesi mbetet e pashpjeguar se si nuk ishin pikasur bimët gjatë stërvitjeve speciale të ushtarakëve elitë. Këto stërvitje përfshijnë operacionet e zbulimit, goditjet me snajper, lëvizjen në terrene të vështira etj.
Të arrestuarit janë Shefi i Seksionit të Sigurisë, Gramoz Mullai, Rustem Koçi me detyrë Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda me detyrë Specialist Sigurie.
Katër ushtarakë të tjerë janë nën hetim mes tyre komandati i repartit dhe zv.komandanti. Ajo çfarë bën përshtypje në këtë ngjarje, është se në vend të reflektimit për një skandal që njollos forcat elitë të ushtrisë shqiptare, qeveria e përshkruan si sukses ngjarjen.
“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake, bëri të mundur evidentimin dhe më pas asgjësimin e 125 bimëve kanabis, të cilat ishin kultivuar në një zonë të pyllëzuar, në territorin e zonës ushtarake të Zall Herrit”, ka shkruar Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi./Lapsi.al/
Nga Gazta Shqiptare