Skandal me fondet e BE, ja si u grabitën qindra mijëra euro në menaxhimin e kufijve
6 Shtator 2024
Jo vetëm në bujqësi me IPARD, por me fondet e Bashkimit Europian është abuzuar edhe në menaxhimin e kufijve me paratë e FRONTEX. Pas kontrolleve të kryera në Drejtoritë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Korçë dhe Gjirokastër janë gjetur një sërë shkeljesh që çuan në përfitime të padrejta dhe dëm ekonomik në shifra të konsiderueshme. “Janë konstatuar diferenca në numër ditësh, shpenzime dietë dhe diferencë në numër netësh, shpenzime për akomodim, referuar mandat pagesave respektive të arkës, si dhe transaksioneve financiare me operatorët bankarë, krahasuar me periudhat respektive të kryerjes së shërbimeve, në referencë të këtyre urdhrave, në vlerën 19,050 Euro, vlerë e cila vlerësohet përfitim i padrejtë nga ana e përfituesve në kushtet kur këto trupa shërbimi janë punonjës të DVKM Korçë dhe Gjirokastër”, citon A2 gjetjet e inspektimeve në DPPSH.
Dietat dhe faturat e fjetjes rezultojnë vetëm maja e ajsbergut e abuzimeve me fondet e Agjencisë së Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian në harkun e viteve 2021-2023. Përfitimet e padrejta në qindra-mijëra euro shtrihen edhe në drejtim të shpërblimeve apo pagave të fryra të oficerëve të ngarkuar me detyra në Korçë dhe Gjirokastër. “Mungesa e dokumentacionit vërtetues e justifikues për pasojë ka sjellë ekspozimin e buxhetit të shtetit ndaj një efekti financiar negativ në vlerën totale prej 300.564 euro, të përfitimit të padrejtë nga ana e përfituesve respektivë në vlerën prej 193.447 euro dhe në vlerën prej 422.252 lekë”, citon “A2” gjetjet e inspektimeve në DPPSH.
Masat administrative
Për abuzimet e gjetura, në gjashtë raste është kërkuar rikthimi i parave në arkën e FRONTEX me anë të masës “shpërblim dëmi”. Ndaj pjesës tjetër të atyre që kanë janë përfituar në mënyrë të padrejtë janë vendosur gjithashtu 2 masa administrative, 9 rregullatore dhe 7 disiplinore. “Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, strukturat përgjegjëse të saj, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe Sektori i Financës për periudhën objekt inspektimi, nuk janë menaxhuar me përgjegjshmëri fondet e dhëna nga buxheti i FRONTEX, referuar shkeljeve ligjore të konstatuara në fushën e menaxhimit financiar dhe të kontrollit, të menaxhimit të aktiveve në njësitë e sektorit publik”, citon A2 gjetjet e inspektimeve në DPPSH. Abuzime të ngjashme u gjetën më herët nga Zyra Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik që prodhoi pezullimin e fondeve IPARD për fermerët shqiptarë. Me akuzat e abuzimit me fondet e Bashkimit Europian teksa drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, më herët u arrestua me urdhër të SPAK edhe ish-ministri Ilir Beqaj.
Misioni i Frontex
Ndërkohë kujtojmë se Agjencia Evropiane e Mbrojtjes së Kufirit FRONTEX prej disa vitesh ka nisur misionin e saj në Shqipëri. Oficerët e FRONTEX, do të jenë nga Gjermania, Republika Çeke, Kroacia, Sllovenia, Holanda dhe Rumania, ndërkohë që numri do të jetë fleksibël në varësi të situatave. FRONTEX ka në fokus të punës së saj menaxhimin e integruar të kufijve, mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufijve me vendet e BE-së dhe me vendet e treta jashtë saj. E krijuar në vitet 2004-2005, mbas flukseve të mëdha migratore me të cilat u ndesh gjithë Evropa kjo agjenci u fuqizua në staf duke kryer operacione jo vetëm në kufirin tokësor, por edhe në kufirin ajror dhe detar.
Është hera e parë që BE nënshkruan një marrëveshje të tillë me një vend jo anëtar, pra me Shqipërinë dhe synon që përmes këtij projekti shumë të rëndësishëm, të mund të forcojë kapacitetet e kontrollit të kufirit, të frenojë flukset migratore, të frenojë trafikun e paligjshëm…etj. Negociatat për Marrëveshjen e Statusit midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë u mbyllën në tetor 2018, duke u bërë marrëveshja e parë e këtij lloji nga BE-ja me një vend fqinj jo të BE-së. Marrëveshja i mundëson FRONTEX-it, Agjencisë Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare, të kryejë operacione të përbashkëta dhe të vendosë ekipe në kufijtë e përbashkët të Shqipërisë dhe BE-së. Në marrëveshje me autoritetet shqiptare, do të nisin operacione për të ndihmuar për trajtimin e migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar. Operacioni i përbashkët filloi në 22 maj të vitit 2019 në kufirin shqiptaro-grek.
Nga: Rigels Seliman