Takimi i kryeministrit Edi Rama me shqiptarët dje në Londër (Angli), përshkoi një udhë të trishtueshme dhe të turbullt, që kulmoi me një skandal të paprecedentë. Ajo që filloi si një ngjarje për të diskutuar arritjet e qeverisë dhe forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare, shumë shpejt u shndërrua në një përplasje të fortë mes protestuesve dhe truprojave të Ramës. Çfarë nuk u pa, ishte shkatërrimi i çdo mundësie për dialog të hapur dhe të ndershëm me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Emigrantët shqiptarë që kishin ardhur për të dëgjuar kryeministrin e tyre, u gjendën të përballur me dhunën fizike të sigurisë, vetëm e vetëm se hodhën akuza ndaj zotit Rama.

Kjo situatë, që kishte për qëllim të ishte një takimi miqësor dhe frytdhënës, degjeneroi në një pasqyrë të hidhur të një qeverisje që ka humbur lidhjen me qytetarët e saj. Truprojat e Ramës, që nuk nguruan të përdornin forcë për të larguar protestuesit dhe për të shtypur çdo formë pakënaqësie, u bënë simbol i një qeverie që ka kthyer dhunën në mjetin e saj të vetëm për të mbrojtur pushtetin. Ata që kishin dalë të dëgjonin një lider, përfunduan të përballen me një pasqyrë të shtypjes dhe dhunës, duke u kërcënuar dhe shfaqur një imazh të një shteti që nuk pranon kritikën. Ky incident, i shoqëruar nga thirrjet “Rama ik!” dhe “Hajdut!”, është një tjetër dëshmi e thellësisë së humbjes së besimit të qytetarëve shqiptarë te qeveria dhe, mbi të gjitha, te kryeministri i saj. Dhuna, që u përdor dje për të shtypur protestën, është një shenjë e qartë e një regjimi që ka humbur çdo lidhje me ligjin dhe etikën.

Ky skandal thekson se qeveria e Ramës është e gatshme të shkelë çdo normë dhe të përdorë çdo mjet për të ruajtur pushtetin, duke shfaqur një lloj despotizmi që nuk le vend për protesta apo lirinë e shprehjes. Kur truprojat e një kryeministri përdorin forcën ndaj qytetarëve të vet edhe në një vend të huaj e demokratik, siç është Britania e Madhe, ky është një sinjal alarmi i madh për demokracinë shqiptare dhe për të ardhmen e saj. Protestat dhe tensionet e shfaqura në Londër janë vetëm një pasqyrë e thellë e pakënaqësisë që mbizotëron në Shqipëri, ku qytetarët e zakonshëm, emigrantët dhe ata që kanë besuar te ky regjim, po ndihen të humbur dhe të tradhtuar. Të vërtetën që Rama nuk mundi ta fshehë, e thanë protestuesit dhe dhuna që shpërtheu ishte një ngjarje e cila shënon një kapitull të errët të politikës shqiptare.

Detaje nga dhuna dhe protesta

Konkretisht një orë para takimit të kryeministrit Edi Rama me shqiptarët e diasporës në Londër, përfaqësuesit e opozitës kanë thirrur një protestë para sallës Copper Box. Në hyrje të sallës ku do të mbahet takimi ka një prani e madhe e forcave të policisë në Londër. Protestuesit kanë vendosur parulla kundër Ramës në gardhet rrethuese të hyrjes se sallës. “Ardhja e kryeministrit është pritur me protesta. Mbaruan votat nga Shqipëria, tani hambari i votave është diaspora. Të gjithë janë të dislokuar këtu. E gjithë qeveria dhe PS është në Londër. Një fushatë jashtëzakonisht e madhe. Ky takim është organizuar nga muaji korrik, është anuluar dy-tre herë dhe arsyeja ka qenë pajisja me viza e të gjithë administratës. Nuk e kuptoj çfarë kërkojnë nga diaspora?

Polici e madhe”, tha kreu i PD-së dega Londër, Shkëlzen Rustemaj. Ai e konsideron përndjekje dhe intimidim takimin e Ramës me shqiptarët e Londrës, pasi sipas tij ai i përzuri nga vendi i tyre. “Ai i përzuri të gjithë këta shqiptarë dhe tani i përndjek dhe i intimidon edhe këtu”. Ndërkohë edhe deputetët dhe kryebashkiakët socialistë që shoqërojnë kryeministrin Edi Rama janë pritur me protesta. Taulant Omi, shqiptar i diasporës u ka zënë pritë në dalje të një salle shoqëruesve të Ramës, kryetarit të Bashkisë së Koplikut, Tonin Marinaj, Pandeli Majkos, Alket Hysenit etj. Omi ka pyetur secilin prej tyre duke iu drejtuar, “o hajdutë, kush ua ka paguar paratë që keni ardhur deri këtu me taku Edi Ramën. “O hajdutë, kush ua ka paguar paratë që keni ardhur deri këtu me taku Edi Ramën? A keni turp? Si more vini këtu me taku Edi Ramën. Ku i ke marrë paratë Pandeli Majko?

Kryehajduti Alket Hyseni, kush i ka paguar paratë sot?”, dëgjohet ai, teksa u drejtohet socialistëve që dalin nga salla. Ndërkohë janë mësuar edhe detaje për dhunën e banditëve të rilindjes ndaj Ilir Meshit, një qytetar që akuzoi kreun e qeverisë brenda sallës si, hajdut. Sipas qytetarëve që kanë qenë afër tij ai është goditur me mjete të forta nga rojet e qeveritarëve të rilindjes të cilët kanë qenë të armatosur edhe me shufra hekuri. “Edi Rama po fut në konflikt shqiptarët”, tha një qytetar tjetër. Ndërkohë që Ilir Meshi është përcjellë për të marrë ndihmën e shpejtë në spital nga shërbimet e emergjencës të cilët kanë ardhur në vend ngjarje. Po ashtu, mësohet se janë 4 persona që janë dhunuar nga banditët e rilindjes në mes tyre edhe një fëmijë e mitur. Ata janë qëlluar nga mbrapa. Sakaq, u mësua se të paktën 30 policë britanikë dhe punonjës të një kompanie private sigurie u angazhuan dje për ruajtjen e eventit.

Reagon Rama

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka akuzuar dje Partinë Demokratike nga Londra se po nxit akte antishqiptare në tokë të huaj. “Keqardhje”, tha Rama duke lënë të kuptojë se janë të nxitur nga PD, për të cilën tha se është “Parti që nxit të tilla akte antishqiptare në tokë të huaj”.

‘”Ndejsë për të një grusht të verbërish atje tek dera, të nxitur nga të verbrit në Tiranë kishin marrë me vete librin e shtëpisë tonë e bërtisnin aty përballë. Keqardhje por asnjë dyshim me vetëdije se edhe ata janë pjesë e familjes son të madhe … Ata pak që ishin futur si diversantë nuk janë fajtorë se përgjegjësinë për fajin e tyre e kanë ata e ju me votë duhet ti tregoni se duhet të largohen një herë e mirë. Dasia u shfaq sot. 3 mijë veta këtu e 30 vetë jashtë. E kanë bërë parlamentin e Shqipërisë sokakun e të marrëve, që shajnë e predikojnë shkatërrim”, deklaroi ai. Sakaq Rama kërkesën për emigrantët e Londrës e kishte të qartë, votën në 2025-ën, me një qëllim madhor, jo vetëm anëtarësimin në BE, por siç e cilësoi ai, edhe për të çliruar opozitën nga pengmarrësit.

“Pranverën e ardhshme unë e dua votën tuaj nga ky gadishull për t’ju bërë edhe më krenar për Shqipërinë në sytë e botës, e për ta bërë bashkë me ju më të mirë për çdo shqiptarë dhe fëmijët e këtij vendi, e të atyre që ishin aty tek dera të verbuar e të keqkuptuar. Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë jo një fitore vendimtare, por përfundimtare edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit për hallet e disa udhëheqësve të diskretituar nga historia”, u shpreh ai. Po ashtu, kryeministri u ndal dhe tek ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën, vrasja e 14 vjeçarit Martin Cani. Rama tha se po shfrytëzohet për luftën e pushtetit dhe protesta e nisur në Tiranë nuk është revoltë qytetare por e nxitur nga opozita për pushtet.

Ku bën vaki, në cilin vend demokratik, që pa u varrosur ende kufoma e një viktime të pafajshme të dalin djajtë nga shishet dhe tia marrin valles së luftës për pushtet, ndasive duke shkelur mbi trupin e të ndjerit dhe shkelmuar trurin e njerëzve të lënduar me plot të drejtë prej tragjedisë. Po motivohen protesta partish të maskuar si revolta qytetare”, nënvizoi ai. Kujtojmë se takimi i djeshëm në Londër ishte në kuadër të turit me diasporën nisur prej muajsh. Kryesocialisti Rama ka zhvilluar takim me shqiptarët në Selanik më 3 nëntor, po ashtu në Athinë, në Itali si edhe takim me shqiptarët në SHBA, më 26 tetor. Në të gjitha takimet e zhvilluara me shqiptarët e Greqisë, Italisë e Nju Jorkut, Kryeministri i ka bërë thirrje emigrantëve që të votojnë për Partinë Socialiste, si e vetmja forcë politike në Shqipëri që do e bëjë vendin anëtare të Bashkimit Europian brenda kësaj dekade.