
Skandalet me ushqimet, 2.9 milionë litra vaj palme në qumështin që konsumojmë. – “Shfarosje popullit nga goja”
14 Prill 2025
Në vitin 2024, Shqipëria importoi një sasi galopante prej 2.9 MILION litrash vaj palme, që u përdor masivisht në industrinë e përpunimit të qumështit të ambalazhuar dhe nënprodukteve të tij.
Sipas ekspertëve të sigurisë ushqimore, kjo është një praktikë që po zëvendëson gjithnjë e më shumë përbërësit natyralë, në një përpjekje të industrisë për të përballuar mungesën e prodhimit vendas dhe kërkesën gjithnjë e më të lartë, sidomos gjatë sezonit turistik.
Qumështi shqiptar gjithnjë e më pak shqiptar
Ekspertët sinjalizojnë se rënia drastike e numrit të gjedhëve në vend ka çuar në një krizë të prodhimit të qumështit të freskët. Përballë kërkesës në rritje, sidomos në periudhat e fluksit turistik, industria ka zgjedhur rrugën më të lirë, por më të rrezikshme: shtesat artificiale.
Vaji i palmës, për shkak të kostos së ulët, përdoret për të rritur volumin e prodhimit dhe për të ulur çmimet. Por ky “kompromis ekonomik” sjell me vete rreziqe serioze për shëndetin publik, sidomos kur përdoret në mënyrë të fshehtë, pa transparencë në etiketim dhe pa kontrolle të mjaftueshme nga institucionet shtetërore.
“Shfarosje popullit nga goja”
Rasti i vajit të palmës nuk është i vetmi që ka tronditur besimin e qytetarëve. Shqipëria është përballur me një sërë skandalesh ushqimore të përsëritura, nga mandarinat me pesticide te luleshtrydhet e mishi i pulës i kontaminuar me salmonelë.
- Mish pule me salmonelë në KFC
- 27 tonë mish të prishur të konfiskuar
- Peshk me parazit
- 13.2 ton akullore me oksid etileni, substancë kancerogjene
- Qumësht dhe dhallë të prishur nga kompania “Lufra”
Sipas ekspertit Sokol Abazi, substanca të dëmshme gjenden gjithashtu në produkte të përditshme si brioshë, drithëra, vaj ulliri, erëza e bimë medicinale. Efektet janë alarmante: kancer, infertilitet, dëmtime nervore dhe çrregullime të sistemit imunitar.
Por cilat janë efektet e vajit të palmës në organizmin e njeriut?
Vaji i Palmës është përdorur prej shekujsh në gatim, për shkak se është i lirë dhe është i pasur me antioksidantë natyrorë, përfshirë vitaminat A dhe E. Megjithatë, ka efekte anësore që paraqesin rreziqe serioze për shëndetin tonë.
Ka nivele të larta të yndyrave, të cilat janë kërcënim për shëndetin kardiovaskular. Një analizë holandeze, e publikuar në vitin 2003 studioi të dhënat nga 35 qendra klinike dhe zbuloi se acidi palmitik rriti nivelin e kolesterolit që tregon rrezik i njohur gjerësisht për sëmundjet e zemrës.
Vaji i palmës shumë e vështirë të tretet për shkak se është më i trashë se vajrat e tjera.
Rreziqet e vajit të palmës të oksiduar përfshijnë organotoksicitetin e zemrës, veshkave, mëlçisë dhe mushkërive si dhe dëmtim të organeve riprodhuese të cilat çojnë deri në shkaktimin e kancerit.