Skandali Albanistan. – “16 vite mësuese gjimnazi por nuk e ka kryer shkollën e mesme”.
4 Prill 2022
Në mungese të 4 viteve shkollë të mesme ajo ka katapultuar nga 8-vjeçarja në shkollë të lartë.
Ajo është mësuese në gjimnaz por nuk e ka kryer shkollën e mesme. Prej 16 vitesh profesionin e ushtron me dëftesë false.
Ky denoncim ka ardhur në ‘Ora Investigim’ në lidhje me shtetasen me iniciale F.H, e cila është mësuese në gjimnazin ‘Elez Isuf Ndreu’ në Kamëz.
Pas ardhjes së denoncimit kemi nisur menjëherë investigimin e këtij rasti.
Në postimet e ndryshme që bën shkolla ‘Elez Isuf Ndreu’në rrjetet sociale duket qartë se mësuesja është pjesë e stafit të shkollës.
Kamera e fshehtë e ‘Ora Investigim’ ka vërtetuar se shtetësja me iniciale F.H vijon të japë mësim në gjimnaz .
Përshëndetje! Doja të takoja mësuesen F.H, jep Histori.
Roja: Duke qenë se është pushim futu shpejt se mos bie zilja.
Në çfarë kati është?
Roja: Në kat të dytë.
Goca, ku e ka klasën mësuese F.H?
Nxënësja: Dera e fundit.
Këtu është klasa e mësuese F****?
Nxënësi: Po.
Mësuesja ku është?
Nxënësi: Nuk ka ardhur.
S’ka ardhur.
Nxënësi: Jo.
Roja: Nuk e dija që nuk ishte. Nesër vjen.
‘Ora investigim’ arriti të sigurojë dëftesen e pjekurisë të mësueses me iniciale F.H.
Në dëftese specifikohet se ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme në Sauk në vitin 1987.
Për të vërtetuar nëse kjo dëftesë është e rregullt ose jo kemi kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
Në përgjigjen e këtij institucioni na bëhet me dije se në regjistra amzash, indekse emërore nxënësish nuk u gjet asnjë e dhenë për mësuesen e gjimnazit.
Skandali thellohet më tej pasi kjo mësuese në dëftesën e pjekurise të vitit 1987 ka numrin e Amzës 715, ndërkohë sipas regjistrave në arkivë numri më i lartë i Amzës është 567 për periudhën kohore 1996-2005.
Informacion shtesë kërkuam edhe te sekretaria e shkollës në lidhje më këtë dëftesë.
Në përgjigjen e kthyer na bëhet me dije se mësuesja e gjimnazit ‘Elez Isuf Ndreu’ nuk e ka kryer shkollën e mesme, madje edhe numri i Amzës 715 rezulton të jetë në emër të një tjetër nxënësi.
Mesuesja me iniciale F.H ka 16 vite që jep mësim në gjimnaz por ajo personalisht nuk e ka kryer asnjë vit gjimnaz.
Në mungese të 4 viteve shkollë të mesme ajo ka katapultuar nga 8-vjeçarja në shkollë të lartë.
Pas publikimit të këtyre fakteve Tv Ora i bën thirrje Ministrisë së Arsimit të bejë verifikimet e duhura për këtë skandal në sistemin arsimor.
Nga OraNews