Skandali: – Butrinti me koncesion me marrëveshje sekrete. Dokumenti i depozituar në Kuvend ka vetëm 1 nen
Skandali: – Butrinti me koncesion me marrëveshje sekrete. Dokumenti i depozituar në Kuvend ka vetëm 1 nen
– 26.04.22
Një traktat kulturor midis Italisë dhe Shqipërisë në 1926, ratifikon që çdo objekt i gjetur në zbulimet arkeologjike t’i ngelej vendit përkatës dhe asgjë nuk duhej të emigronte.
Kont Ugolini, njeriu që zbuloi Dean e famshme të Butrintit, citon marrëveshjen arkeologjike: “Misioni arkeologjik nuk merr me vete as kopje të dytë të objekteve të gjetura”. Më poshtë ai shkruan: “I vetmi ekzemplar arkeologjik i hyrë në Itali është Koka e Deas së Butrintit, e dhuruar nga Mbreti Zog, Shkëlqesisë së Tij Mussolinit”.
Të gjitha këto gjenden në librin “Butrinti, miti i Eneas – gërmimet e Luigjit” (Ugolini 1937 / XV Instituti Grafik Tiberino).
Në vitin 1981, koka e Deas u kthye në Shqipëri. Sot gjendet e ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar.
Benito Musolini nuk arriti t’i gëzojë pasuritë shqiptare të Butrintit. Po si do të vejë sot fati i këtyre pasurive? Kush do t’i menaxhojë, kush do t’i japë me “koncesion”, a do bëhet një qofteri po birrari brenda Butrintit për ta bërë atë “atraktiv për turistët”. Pse kompania që do ta menaxhojë mund t’a japë Butrintin tek “të tretët” për të kryer shërbime?
Të gjitha këto pikëpyetje mbeten pa përgjigje pikërisht në çastin kur në Kuvend po shqyrtohet një marrëveshje mes ministrisë së Kulturës dhe “Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
Sipas Ministres së Kulturës, Elva Margariti marrëveshja parashikon që Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Riçard Hoxhes.
Çudia është se teksti i marrëveshjes mbahet sekret. Deputetja e PD-së, Ina Zhupa reagoi sot në një përballje pothuajse fizike me ministren e Kulturës për këtë çështje. Zhupa e quajti absurd faktin që teksti i një marrëveshjeje mbahet sekret, sikur të bëhej fjalë për një bazë ushtarake bërthamore, dhe jo një sajt arkeologjik.
Në fakt, edhe në faqen zyrtare të parlamentit të Shqipërisë, marrëveshja që e jep Butrintin me koncesion, ka vetëm 1 nen.
“Sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji”, thuhet në dokument, por “tekst” nuk ka. Neni i dytë e fut në fuqi.
Që në këtë vend, edhe skandali më i madh nuk bën përshtypje kjo dihet prej kohësh.
Me qindra e mijëra skandale të pazbardhura e pandëshkuara e kanë mbushur historinë 31-vjeçare të pluralizmit me lloj-lloj bëmash, duke inflacionuar çdo histori sado e bujshme qoftë ajo.
Por, që qeveria shqiptare të vendoste menaxhimin e perlës së arkeologjisë sonë, Butrintin, në menaxhim të huaj me një marrëveshje sekrete, kjo tejkalon çdo imagjinatë.
Edhe për sekrete të klasifikuara siç janë çështjet e sigurisë kombëtare, ka informim në mbledhjen e komisionit përkatës me dyer të mbyllura. Deputetet pajisen me certifikate sigurie dhe gjithçka është e zgjidhur. Sepse deputeti është përfaqësues i popullit dhe paguhet pikërisht për të bërë këtë punë. Po atëherë, përse mohohet transparenca për Butrintin? Nëse koncensioni është në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, atëherë pse u mbahet atyre sekret?!
Përgjigja mund të gjendet në 2 paragrafët e mëposhtëm të publikuar në fillim të muajit nga “Zëri i Amerikës”.
“Në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 ha në 8.622,2 ha në kuadër të shqyrtimit të kufijve të disa parqeve natyrore dhe kombëtare në vend.
Sipas hartës së bashkëngjitur vendimit të qeverisë për Butrintin, një sipërfaqe prej rreth 800 ha nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike”, thuhet në artikullin e VOA-s.
Pra bëhet fjalë për para, shumë para. Ose e thënë me gjuhën e mafias. “Eshtë biznes, asgjë personale”.
Gazeta Shqiptare