Skandali i inceneratorëve, Lubonja: – Ministrat e pyetur nga SPAK janë thjeshtë koperturë. – Ja ku po shkojnë paratë
26 KORRIK 2022
Analisti Fatos Lubonja ka folur ditën e sotme në një emision televiziv në lidhje me çështjen e inceneratorëve, i cili thotë se pavarësisht plasjes së skandalit, miliona vijojnë të paguhen.
Ai shtoi se kjo mund të tregojë që paratë shkojnë aty ku kontratat janë bërë nën dorë, ndërsa tha se shpresën e vetme për këtë situatë e sheh tek protestat.
“Nuk ju duket që krimi i organizuar po bëhet më agresiv dhe i fuqishëm. Guximi për afera është më i madh? Mendoj se po. Nëse SPAK paska avancuar kjo e keqe avancon më shpejt se SPAK dhe ministrat e pyetur janë thjeshtë koperturë.
Kontratat për Inceneratorët kanë vijuar të paguhen. Edhe pse plasi skandali nuk ndalojnë pagesat. Është njëlloj sikur atij që ka hyrë në burg ti çosh edhe paratë. Ose kontrata vijon sepse lekët shkojnë aty ku është bërë kontrata nën dorë. I mbetem asaj që bëhet vetëm për dukje, dhe shpresa e vetme janë protestat që thotë Meta, që mund t’i bëjnë presione edhe SPAK-ut.
Që nga 2013 kur e la Berisha deri tani nëse do të bindesha se ka progres në disa aspekte, por ka shumë probleme, prapë do të thoja shumë mirë. Por unë shoh regres, jo vetëm unë por edhe organizata të pavarura”, u shpreh Lubonja.
Ndërsa në lidhje me lëvizjet e fundit në qeveri, Lubonja u shpreh se shkarkimi i Arben Ahmetaj, mund të jetë një lëvizje e cila i paraprin thirrjes së tij nga SPAK më vonë, çka do t’i hiqte Ramës barrën e marrjes në pyetje të një ministri.
“Varen nga Rama. Sikur i bëri Rama pa futur faktorin përtej Ramës, presioni i SPAK se nesër ja marrin si ministër dhe më mirë ta heq vetë se sa të ma marrin si ministër. Ndërkohë shohim që mbështetja për qeverinë është e madhe dhe skandaloze. Nuk dua të flas në mënyrë të bindur por mbetem dyshues, kam pak shpresë që drejtësia ka një impenjim ndërkombëtar për ta bërë SPAK të fuqishëm që edhe Rama të hyjë në rrjetën e SPAK. Unë nuk e besoj këtë. Nëse trashet zullumi diçka do të ndodhë por unë nuk e besoj”, tha Lubonja.
Gazeta Sot