Skandali i mbetjeve toksike, ja si Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro ia kaluan faturën e përgjegjësisë Edi Ramës
27 Gusht 2024
“…Dyshja Kumbaro-Balluku meqenëse thonë se s’kanë dhënë autorizim, dëshmojnë se shteti shqiptarë ka rënë dhe se këtu kushdo mund të transportojë drogë, armë apo mbetje toksike, etj dhe se askush mban përgjegjësi, edhe pse janë pikërisht Ministria e Mjedisit dhe ajo e Infrastrukturës që kanë detyre të hapin sytë. Megjithatë mbetet të mësohet më shumë në ditët në vijim se si rrodhën ngjarjet dhe çfarë pasojash pritet të ketë ky skandal për politikën shqiptare”.
Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku po tentojnë t’ia faturojnë kryeministrit Edi Rama faturën e përgjegjësisë për skandalin e transportit të qindra tonelatave të mbetjeve të rrezikshme të dala nga Porti i Durrësit dhe të evidentuara në Tailandë dhe Kinë. Konkretisht qeveria e konsideron “mall”, atë që është transportuar në bazë të deklaratave të eksportuesve dhe jo mbetje. Për mbetjet duhet autorizim për çdo ngarkesë. Dhe së paku nga 2020 nuk ka asnjë autorizim. Një ditë më parë gazeta “SOT” publikoi një dokument që implikonte ministren Kumbaro.
Në shkresën e prillit 2022 që mban firmën e zonjës Kumbaro, ekzaktësisht në datën 20, kompanisë “Sokolaj”, i është dhënë leja e transportit të mjeteve të rrezikshme dhe të parrezikshme. Por edhe pse kemi të bëjmë me një përgjegjësi të madhe, ku duket qartë se autoritet kanë dështuar, debati nuk mbyllet me kaq. “Benzinë zjarrit” duket se i kanë hedhur Ministritë e Mjedisit dhe Transporteve, të cilat këmbëngulin se s’kanë përgjegjësi, ndërkohë që automatikisht faji i bie qeverisë “Rama” dhe është pikërisht kryeministri Edi Rama, ai që njolloset nga ky skandal, pasi përmes institucioneve dështoi që të parandalonte këtë skandal. Mirëpo nëse Kumbaro dhe Balluku heqin përgjegjësinë nga vetja, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë skandal.
Fakti që mbetjet me lëndë të rrezikshme kanë dalë nga Porti i Durrësit tregon se institucionet që varen nga ministret Kumbaro dhe Balluku kanë dështuar dhe se Rama në këtë mesele nuk të implikohet apo të bëhet fajtor. Madje jo pa përgjegjësi është edhe ministri i ri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili përpara se të merrte këtë detyrë, ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, duke nisur nga 2019. Mbetjet e rrezikshme dyshohet se dolën nga Durrësi gjatë muajit prill të këtij viti, kështu që nisur nga ky fakt kur për mjedisin dhe transportin, titullarë janë Kumbaro e Balluku, do të thotë se ato kanë përgjegjësi për këtë skandal.
Po ashtu dyshja Kumbaro-Balluku meqenëse thonë se s’kanë dhënë autorizim, dëshmojnë se shtetit shqiptarë ka rënë dhe se këtu kushdo mund të transportojë drogë, armë apo mbetje toksike, etj dhe se askush mban përgjegjësi, edhe pse janë pikërisht Ministria e Mjedisit dhe ajo e Infrastrukturës që kanë detyre të hapin sytë. Megjithatë mbetet të mësohet më shumë në ditët në vijim se si rrodhën ngjarjet dhe çfarë pasojash pritet të ketë ky skandal për politikën shqiptare.
Gazeta Sot