“Skandali i patronazhistëve, vrasja e grave dhe dhunimi i njerëzve”/ Raporti i “Amnesty International” tregon të metat e Shqipërisë
“Skandali i patronazhistëve, vrasja e grave dhe dhunimi i njerëzve”/ Raporti i “Amnesty International” tregon të metat e Shqipërisë
3 PRILL 2022
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Amnesty International”, ka publikuar raportin e saj vjetor për 154 shtete, mes tyre dhe për Shqipërinë.
Sa i përket vendit tonë, raporti është fokusuar tek nxjerrja e të dhënave të 900 mijë qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e prillit.
Sipas raportit vetëm 162 qytetarë e kanë paditur Partinë Socialiste, për shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
“Në prill, zgjedhjet parlamentare konfirmuan mandatin e tretë për Partinë Socialiste në pushtet. Është shkelur e drejta për privatësi e rreth 900 mijë qytetarëve. Vazhdoi dhuna ndaj grave, gazetarëve dhe personave LGBTI. Mungesa e një institucioni të specializuar mjekësor e bëri të pamundur zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të Gjykatës së Lartë”,thuhet në raport.
Të dhënat informojnë se ka shqetësime mbi lirinë e shprehjes, mbrojtjen e burimeve dhe frikësimin e gazetarëve. Në muajin prill, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit sekuestroi bazën e të dhënave me të dhënat personale të 900 mijë qytetarëve dhe sipas raportit kjo gjë sillte shqetësime me lirinë e shprehjes, mbrojtjen e burimeve dhe frikësimin e gazetarëve.
“Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) nxori një masë të përkohshme duke urdhëruar autoritetet të ndalojnë sekuestrimin e të dhënave nga portali i lajmeve”,shkruhet më tej në raport.
Gjithashtu, ndër më të rëndësishme theksohet se edhe paketa rimbursimit për të infektuarit me Covid-19 gjithashtu ishte e pamjaftueshme.
Ndër të tjera përcaktohet se sipas Avokatit të Popullit, numri i personave të infektuar me Covid-19 ishte shumë më i madh se paketat e trajtimit për të cilat ata mund të rimbursoheshin. Pacientët e diagnostikuar në periudhën mars-nëntor 2020, si dhe ata që rezultuan pozitivë nga institucionet shëndetësore private, nuk kishin të drejtë të rimbursoheshin për mjekimin.
Sipas “Amnesty International”, një proces që ka ecur me hapa të çalë është dhe ajo e reformës në drejtësi. Sa i përket refugjatëve, shkruhet se Shqipëria ka strehuar 866 emigrantë nga Afganistani, ndërsa kishte premtuar strehimin 4000 prej tyre.
Veç të tjerave vendi ynë ende mbetet i vështirë për personat LGBTI, pasi janë subjekt i diskriminimit dhe ngacmimit. Sipas raportit, grua transgjinore është rrahur në rrugë dhe në qershor të viti 2021, Regjistri i Gjendjes Civile ndaloi një çift lezbike të regjistrohej si prindër.
Problematikë e madhe e Shqipërisë mbetet edhe dhuna ndaj grave.
“Dhuna ndaj grave shkaktoi zemërim publik. Deri në fillim të dhjetorit, ishin lëshuar 2754 urdhra mbrojtjeje, por ishin zbatuar keq. Sipas Policisë së Shtetit, nga të gjitha vrasjet e kryera gjatë vitit, 30% janë bërë nga meshkuj ndaj partnereve të tyre shtëpiake; 16 gra u vranë. Në maj, një grua u vra në Gjykatën e Rrethit Elbasan pas seancës së divorcit,” shpjegohet në raportin e AI.
Gazeta Shqip