6 Gusht 2024

Pavarësisht se u përball me forcën e kartonëve të mazhorancës në mbledhjen e dëshmive, kreu i Komisionit Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS, Ervin Salianji, shprehet i kënaqur me hetimin e kryer parlamentar.

Salianji tregon se nga hetimi parlamentar opozitar jo vetëm arriti ato që kërkoi, por faktoi më shumë nga sa kishte menduar në nisje të punës.

“Efektivisht kanë qenë dy muaj hetim parlamentar, pasi dy muaj kanë qenë të zënë deputetët e PS duke qëndruar në tualete. Në këto dy muaj ne jo kemi përmbushur pritshmëritë tona dhe të publikut, me verifikimin në ndërhyrjet e sistemit TIMS, por edhe i kemi kaluar sepse nuk e kemi imagjinuar që do të verifikohej dhe do të faktohej manipulimi i sistemit TIMS dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS”, tha Ervin Salianji, kryetari Komisioni Hetimor Tims.

Sipas tij, hetimet kanë zbuluar ndërhyrje në disa raste në të dhënat e TIMS, që më pas thotë së janë shitur tek persona të skeduar për krime të ndryshme, por kur pyetet për emrat konkret nuk preferon të flasë.

“Unë nuk dua të aludoj, por ka persona me emra konrek që janë zbuluar nga vetë policia e shtetit, PS nuk la qenë të caktonim ekspertë për ta bërë ekspertimin vetëm për TIMS. Por duhet të thellohet hetimi në kuadër të një grupi të strukturuar”, u shpreh Salianji.

Por kur bëhet fjalë për politikanët, kreu i komisionit hetimor gishtin e akuzës e drejton nga ministri Taulant Balla dhe ish-ministri Bledi Çuçi. Raporti i opozitës u rrëzua nga shumica socialiste, por deputeti demokrat premton se betejën tashmë do të vijojë në SPAK duke depozituar shkeljet e pretenduara prej tyre.

“Ish-ministri dhe ministri janë të përshirë, i pari si personi që miratuar propozimet e dërguara nga Drejtori i Policisë, dhe zoti Balla me mosveprimet. Ajo që unë u them me siguri është që kjo është një aferë që nuk ka mundësi të bëhet vetëm nga drejtuesit e policisë, është përtej, është një fuqi e madhe politike. Raporti jonë është profesional dhe nuk ka hyrë në terma politikë. Do t’i dërgohen SPAK. Unë besoj se ka fakte të mjaftueshme për të nisur një procedim penal”, tha Salianji

Sipas tij edhe socialistët pranojnë që ka pasur shkelje, ndaj shumë shpejt palët do t’i drejtohen Kuvendit edhe për ndryshime ligjore për të përforcuar mekanizmat ligjor për të ruajtur të dhënat në sistemin TIMS.