15 Dhjetor 2022

Nga: Idriz Morina.

Në qendër të këtij hetimi do të duhej të ishin bisedimet e dyshimta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe rolin që e patën apo e kanë edhe të huajt në dëm të Kosovës.

Një proces gjyqësor në Kosovë ka filluar vitin që shkoi, por për skandalin askush nuk flet më.

Perëndimi po skandalizohet jo pak, nga vetvetja e tij. Një hetim belg çoi në arrestimin e një eurodeputeteje greke dhe një ish-eurodeputeti italian, nga një proces i ndjekjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit, fundi i të cilit nuk po duket gjëkundi.

Aktakuza nuk është aq e thjeshtë. Në qendër të saj është hetimi i ndikimit nga një vend si Katari, në vendimet politike dhe ekonomikë, në tempullin e demokracisë europiane, në punën e Parlamentit Europian.

Por, a do të hetohet ndonjëherë procesi i bisedimeve në Bruksel, nëse negociatorët si Borell, jo rrallë morën anën e Serbisë, apo kur në vitet 2018-2019 për herë të parë nisi të flitej publikisht për një marrëveshje për ndarjen e Kosovës, përkatësisht ‘shkëmbimin e territoreve’, por që pashmangshëm çonte në humbjen deri në 5% të madhësisë aktuale të vendit.

Fillimisht u arrestuan gjashtë veta, dy prej të cilëve u liruan më pas, por jo edhe zëvendëspresidentja greke e Parlamentit dhe një ish-deputet italian.

Një skandal tashmë drithërues për Europën, që ka lëkundur jo pak besimin.

Dosjes i është vënë emri, “Katarigate”- skandali Katari.

Të arrestuar janë eurodeputetja greke Eva Kaili dhe ish-deputeti italian Antonio Panzeri, bashkëshorti i Kailit, Francesco Giorgi dhe një person tjetër.

Sipas medias, shuma e sekuestruar nga autoritetet belge i kalon 1.5 milionë euro.

Nga informacionet e bëra publike, pas arrestimeve të para, Katari besohet se ka ndikuar në vendimet e Parlamentit Europian. “Për disa muaj, hetuesit nga Policia Gjyqësore Federale dyshojnë se një vend i Gjirit ka ndikuar në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian (PE)”, thuhet në deklaratën e prokurorit të rastit.

Sipas gazetës belge “Le Soir”, janë gjetur 600 mijë euro në shtëpinë e ish-deputetit italian Panzeri, por edhe një shumë e madhe parash, ju gjetën në posedim babait të Eva Kailit, dhe disa të tjera në shtëpinë e partnerit të saj, Francesco Giorgit. Hetimet intensive janë duke vazhduar për pjesëmarrje në krim të organizuar, pastrim të parave dhe korrupsion, edhe pas bastisjes së 20 vendeve të ndryshme.

Ndërkohë, që të martën është mbledhur Parlamenti Evropian në Strasbourg, ku ka votuar me 625 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime, që të shkarkohet nga detyra Eva Kaili, e cila ishte njëra nga 14 nënkryetarët e Parlamentit.

Zyrtarë dhe deputetë të Parlamentit Europian, po shpresojnë që çështja të mbyllet më shpejt, por dilemat janë se a ekziston vetëm çështja Katari, pra nëse ka pasur edhe afera të tjera, që ende nuk dihen, por mund të shpërthejnë.

“Gjykatat do të përcaktojnë se kush është fajtori, por ajo që është e sigurt është se nuk është vetëm Katari dhe nuk janë vetëm individët që janë përmendur ata që janë përfshirë në këtë skandal”, i ka thënë Politico-s, Raphael Glucksmann, ligjvënës francez, i cili drejton një komision kundër ndërhyrjeve të huaja në Parlament.

Image

Ish-presidenti Thaçi dhe ish-lobuesja Dhurata Hoxha

Kush do ta hetojë “Kosovagate”

Nuk është qëllimi i dhënies më shumë detajeve në këtë rast, por për të pasur idenë qendrore, se një hetim i tillë i specializuar, do të mund të çonte në zbulimin e një afere, ta quajmë si “Kosovagate”.

Në qendër të këtij hetimi do të duhej të ishin bisedimet e dyshimta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe rolin që e patën apo e kanë edhe të huajt në dëm të Kosovës.

Se si p.sh. u arrit që në momente të caktuara, të mos fajësohet Serbia për të gjitha ato krime të kryera ndaj shqiptarëve?

Pse edhe sot Serbia nuk akuzohet nga shumë shtete, për ndërhyrjet e rënda që i bën brenda shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës?

Në kohën kur diskutohej ndarja e Kosovës, dyshohet se dhjetëra miliona euro janë dhënë nga Serbia e Rusia, por pjesërisht edhe nga njerëz në Kosovës, për të arritur mbështetje të madhe, që veriu t’i jepej Serbisë, dhe pjesërisht Kosova ta merrte një pjesë të Luginës.

Një proces gjyqësor në Kosovë ka filluar vitin që shkoi, por për skandalin askush nuk flet më.

Një hetim filloi për kontratat e lobimit, që qeveria e Kosovës po i bënte, duke tentuar të gjejë në Francë mbështetje për ndarjen e Kosovës, përkatësisht rishikimit të kufijve në një pjesë të Ballkanit, me ndryshimin e kufijve të Republikës sonë.

Çështja nisi të hetohej vite më parë nga Prokuroria speciale e Kosovës, por, vetëm për të vërtetuar dyshimet se ishin shkelur procedurat e rregullta të prokurimit, dhe jo për të hetuar përpjekjen për ndarje të Kosovës.

Nën hetim ishte kontrata e lidhur nga Ministria e Integrimeve Europiane me kompaninë “Majorelle”, e cila kishte përfituar 168,000 euro, duke konkluduar: “Rihapja e diskutimeve për paqen është përqendruar shpejt në modifikimin e kufirit territorial dhe ka vënë në tavolinë debatin/tabunë për rishqyrtimin e mundshëm të hartës së Ballkanit…”

Sipas një hulumtimi të bërë publik në media, rezultonte se Ministria e kishte ngarkuar kompaninë franceze të krijonte “një mendim evropian”, që mbështet “modifikimin territorial”, siç e kërkonte Kosova (Hashim Thaçi).

Në fakt ajo në këtë rast nuk po hetohet për një aferë, që po e pretendojmë ne, por për shkelje të procedurave ligjore, për kontratat lobuese, për rishikimin e kufijve.

Por, edhe atmosfera e muajve të fundit e bisedimeve duket se ende është e ndikuar nga ajo frymë e së kaluarës, dhe procesi i bisedimeve nuk po kthehet në “normalitet”.

Sigurisht që Kosova se zbulon dot, por Brukseli mund ta bëjë vetë një ditë, jo për nevojën e drejtësisë sonë, por për nderin e tij!

Gazeta Bota Sot, Prishtine.