KLSH: Integrated Energy BV fitoi bonusin për incineratorin e Tiranë 9 muaj para krijimit si kompani
18 Shtator 2022
Raporti i fundit i kontrollit të lartë të shtetit mbi incineratorin e Tiranës vazhdon të zbulojë të tjera detaje që e bën të çuditshme procedurën e ndjekur për dhënien e koncesionit.
Kështu, në material thuhet se në 7 nëntor 2016 ministrisë së shtetit i është kërkuar mendim mbi dhënien e bonusit për kompaninë I.E.B.V e cila kushte paraqitur një ofertë të pakërkuar.
Dhe pas verifikimit të shkresave në përgjigje thuhet se “Sipas projektvendimit, bonusin e fiton shoqëria “I. E. B.V” sh.p.k, për të cilën pavarësisht kërkimit disa herë si me anë të emrit të shoqërisë ashtu edhe me emër aksioneri, nuk është mundur të gjendet si shoqëri e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të dhëna që Ministria e Mjedisit, duhet t’i vendosi në dispozicion për të dalë qartazi që kompania e ka kapitalin e nevojshëm financiar për një investim të tillë”.
E në fakt nëse do të shihen edhe dokumentet zyrtare në QKB subjekti është regjistruar në 30 gusht të vitit 2017, pra pas të paktën 9 muajve nga këto dokumente.
Por po ashtu ka lindur edhe një tjetër problematike. Ministria e shtetit kërkon sqarim për mbivendosje të projekteve.
“Përsa i përket trajtimit të ujërave të ndotura, ekziston tashmë një grant nga Banka e Japonisë për ndërtimin e terminalit të përpunimit të ujërave të ndotura për qytetin e Tiranës. Rekomandojmë që të shpjegohet në relacion që ky projekt nuk mbivendoset me projekte të tjera për të cilat punohet për t’u implementuar”, thuhet në materialin e auditimit që i referohet edhe përgjigjeve zyrtare.
Pavarësisht kësaj në dhjetor të vitit 2016 kompania merr bonusin me 8 për qind me vendim të këshillit të ministrave e më tej shpallet edhe fituese e koncesionit me vlerë rreth 128 milionë euro.
Nga OraNews