Skandali/ Kryebashkiaku i ndërton shtëpi gjyshes me fondet e tërmetit
Skandali/ Kryebashkiaku i ndërton shtëpi gjyshes me fondet e tërmetit
6 SHKURT 2020
Tërmeti i 1 qershorit 2019, i cili preku disa fshatra të rrethit Devoll, dëmtoi shumë banesa në fshatin Vidohovë. Në këtë fshat u rindërtuan disa banesa nga fillimi, ndërsa disa të tjera u rikonstruktuan.
Një nder banesat e ndërtuara është edhe ajo e gjyshes së kryetarit të Bashkisë Bilisht e cila nuk u bë me projektin dhe madhësinë e shtëpive të tjera, por u ndërtua më e madhe. Të gjitha shtëpitë në këtë fshat që u rindërtuan, janë ndërtuar 1+1 përveç shtëpisë së gjyshes së kryetarit e cila është rindërtuar me hapësirë më të madhe, 3 +1.
Me të marrë këtë ankesë gazetarët e Fiks Fare u nisën drejt Bilishtit. Në një bisedë më kamer të fshehtë vetë kryeplaku i fshatit dhe banorët pohojnë se shtëpitë janë ndërtuar jo në mënyrë të drejtë. Ka nga ta banorë që edhe pse janë dëmtuar nga tërmeti nuk janë shpërblyer, por të gjithë bien dakord me shtëpinë e gjyshes së kryetarit të bashkisë e cila është ndërtuar më e madhe se gjithë të tjerat. Gjithashtu kryeplaku i fshatit pohon se ka pas abuzime me ndërtimin e shtëpive. Deri më sot janë ndërtuar 11 shtëpi në këtë fshat dhe mbeten ende për t’u ndërtuar edhe 11 të tjera.
Firma që ka marr përsipër rindërtimin e shtëpive është firmë që merret më mirëmbajtjen e rrugëve dhe kjo pengon edhe ndërtimin e shtëpive në kohë. Sipas kryeplakut vetëm për ndërtimin e një shtëpie 1+ 1 firmës i është dashur ta ndërtojë për 6 muaj, kjo si rezultat i fuqisë punëtorë në numër të vogël. Ai ngre zërin se shtëpitë e reja që po bëhen po ndërtohen me taraf, pra kush ka miqësi në bashki ka përfituar investime, ndoshta edhe më parë se ata që kanë më shumë nevojë.” Personat që u është rindërtuar shtëpia , janë persona që këtë shtëpi e kanë të dytë ose tretë, ndërsa ata që ende presin t’u ndërtohet shtëpia jetojnë me qira” shprehet kryeplaku. Por skandali që zbulon kryeplaku është se disa banesave banorët “mafiozë” i kanë prishur vetë ato për të përfituar nga investimet e qeverisë, duke pretenduar se banesat e tyre janë dëmtuar nga tërmeti.
Ai i tregon bashkëpunëtorit të Fiksit shtëpinë e gjyshes së kryetarit të bashkisë duke i pohuar se është e vetmja shtëpi në fshat që është ndërtuar më e madhe se gjithë të tjerat, dhe kjo për faktin për lidhjen që ka drejtpërdrejt kryetari i bashkisë.
Gazetarët e Fiksit bënë një vëzhgim duke parë të gjitha shtëpitë e ndërtuara dhe shtëpia e gjyshes së kryetarit rezultonte më e madhja ashtu siç pohuan banorët. Gazetarët hynë brenda ku intervistuan dajën e kryetarit të bashkisë i cili pohon se është e vetmja shtëpi që është ndërtuar 3+1, por ai e argumenton ” Unë kam futur edhe vetë materiale ndaj është bërë shtëpia më e madhe, kush nuk ka pasur u është bërë me sipërfaqe më të vogël ndërtimi”. Ai shprehet se është shumë i kënaqur nga ndërtimi i shtëpisë , por mohon të ketë përfituar më tepër fonde si daja i kryetarit të Bashkisë Bilisht.
Fiksi u interesua edhe pranë Bashkisë Bilisht për të marrë një përgjigje nga kryetari i saj, por ai nuk gjendej në zyrë. Një specialist i emergjencave civile shpjegoi se sipërfaqet e shtëpive janë bërë në bazë të numrit të personave që ka një familje. Familja e dajës së kryetarit që jeton sëbashku me gjyshen e tij, përbëhet nga 6 persona dhe ndaj i është bërë shtëpia më e madhe , kurse familjeve me nga 3-4 persona ju është ndërtuar shtëpi 1+1. Gazetarja e Fiksit i kërkon një informacion më të detajuar në lidhje me shtëpitë e ndërtuara dhe numrin e personave që kanë ato, përgjigje të cilën specialisti pohoi se do e niste në rrugë zyrtare bashkangjitur edhe dokumentacionin përkatës. Por në redaksi ende nuk ka mbërritur.
Gazetarët e Fiksit kërkuan edhe një prononcim nga kryetar i bashkisë Eduard Duro i cili në një telefonatë pohon se shtëpia është ndërtuar me sipërfaqe më të madhe se të tjerat, jo se është e gjyshes dhe dajës së tij, por kjo shtëpi ka qenë me atë sipërfaqe para dëmtimit nga tërmeti dhe ka qenë shtëpi monument kulture. Duro pohon se nuk ka dokumente që e vërtetojnë këtë, por e njeh gjithë Devolli që shtëpia ka qenë mbi 300 vjeçare. Me këtë argumentim kryetari i Bashkisë Bilisht arsyeton ndërtimin e shtëpisë së gjyshes së tij 3+1, ndërkohë që gjithë shtëpitë e banorëve të tjerë janë ndërtuar me sipërfaqe më të vogël./Top Channel
Nga Gazeta Sot