Skandali “McGonigal”, Salianji ngre pyetjen: A e kalon dot oqeanin Rama? – Zyrtarët e SHBA-së do të kenë frikë të dalin foto me të sepse do iu thonë ‘ky ju ka korruptuar’
1 Shkurt 2023
Gazeta Panorama
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ngritur pyetjen nëse kryeministri Edi Rama mund të shkojë dot ose jo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas skandalit të McGonigal.
Komentet Salianji i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin “Open” në News 24, ku ka folur në lidhje me përfshirjen e kryeministrit Rama në skandalin me ish-agjentin e FBI-së.
Salianji tha se zyrtarët amerikanë mund të kenë frikë të takohen me Ramën për arsye se mund të paragjykohen se janë korruptuar nga ky i fundit.
“Amerikanët nuk janë si SPAK-u apo sistemi gjyqësor këtu që shohin kë kanë përballë e kush vjen nga pas se ndryshe nuk do përmendej 14 herë, bëhet fjalë për kryeministrin e një vendi aleat në NATO.
Fakti që SHBA e përmendin 14 herë me emër kryeministrin në akuzat e Uashingtonit, nxjerr çështje të veçantë dhe VOA e kishte zbardhur të plotë, pa diskutim që nuk shohin se kush përfiton se nuk është logjikë e drejtësisë kush përfiton politikisht. Jemi në kushtet e ka kryer apo jo shkeljen. Politikisht në këto kushte Rama mund të largohej. E përcakton PS, zgjedhjet apo një qeveri teknike është tjetër gjë. Jemi në një situatë që thuhet në aktakuzë se personat që kanë takuar Ramën e McGonigal kanë interesa financiare nga ndikimi që i kërkon Mcgonigal Ramës në zyrë në 9 shtator. Pas 9 shtatorit, në 5 tetor, 20 nëntor e në janar vijojnë takime pa fund të Ramës e këtyre dy personave me drejtorin e kundërzbulimit në FBI. Pa diskutim kemi të bëjmë me interesa të mëdha. Ç’interes ka drejtori i kundërzbulimit të FBI të rrijë me kryeministrin e Shqipërisë një herë në muaj?
Për shkak se Rama është përfshirë në këtë aferë, sot Shqipëria ka një dëm të madh në të gjithë mediat botërore.
Me këtë situatë e kalon dot oqeanin kryeministri e të takojë zyrtarë të lartë të SHBA se do kenë frikë të dalin në foto se do i thonë ky korrupton?”, ka deklaruar ai.