Skandali me diplomat false, gazetarja: Ja përse Rama e shkarkoi Kushin nga detyra e ministres së arsimit
20 Shtator 2024
Prokuroria e Tiranës ka nisur në korrik të këtij viti, hetimet për skandalin e dhënies së diplomave false të Kolegjit Universitar “Wisdom” , në këmbim të parave për studentët në Itali.
Ndërkohë pas një hetimi të gjatë të Guarda Di Finanza në Itali, janë vënë në pranga 9 persona, mes të cilëve edhe pronari i Wisdom University, Savino Cianci, siç rezulton në dokumentet e qendrës kombëtare të regjistrimit të biznesi në Shqipëri.
Gazetarja Alba Kepi nga Italia në një komunikim me një emision televiziv, duke folur për hetimin e nisur në Itali, ndau një analizë të sajën, sipas së cilës, edhe shkarkimi i ministres së Arsimit, Evis Kushi, ka ndodhur pikërisht për këtë shkak të përfshirjes së saj në dosjen italiane për skandalin e akreditimit të Kolegjit Universitar Wisdom.
Sipas saj, kryeministri Rama shkarkoi ministren Kushi, pasi kishte marrë sinjalizimet paraprake për një hetim të tillë.
“Do ndaj një episod që është edhe qesharak. Të gjithë ortakët italian bien në kurthin e një sherri mes tyre sa që njëri nga ta arrin të denoncojë.
Mendoj se edhe shkarkimet që ka bërë Rama duke zëvendësuar ministren e Arsimit, zv. Ministren, e ka bërë nga sinjalizimet që ka pasur për një hetim të tillë.
Pse e them këtë sepse në momentin kur ortakët patën një sherr mes tyre, një prej tyre bëjnë denoncim në Ambasadën Italiane në Tiranë dhe thotë se kujdes se ata që kanë hapur Universitetin Wisdom në Tiranë, po shpërndajnë diploma false.
Dhe menjëherë pas kësaj aktivizohet ky sistem hetimor që aktivizohet edhe më tej dhe në analizën time kjo soli edhe ndryshimet tjera në ministri që gjithmonë Rama bën kur dëgjon diçka të gabuar ose që po kryhet ndonjë hetim ai vepron përpara e shkarkon për të mos krijuar skandalin e radhës së qeverisë së tij.”
Gazeta Sot