Skandali me pyjet në Librazhd/ Kompania që preu pyllin pa leje, fiton tender për ta prerë me leje!
Skandali me pyjet në Librazhd/ Kompania që preu pyllin pa leje, fiton tender për ta prerë me leje!
22 Nëntor 2019
“Do bejme Shtet….’
Në vitin 2016, në Shqipëri u vendos moratoriumi i pyjeve. Për 10 vjet, asnjë individ nuk duhet të priste qoftë edhe një pemë në pyjet shqiptare. Kushdo që kapej, dënohej edhe me burg. Deri tani kanë filluar që të ndihen efektet e para, pasi disa pyje janë rehabilituar, por kalimi i pyjeve në administrim të bashkive ka sjellë kaos në administrimin e tyre.
Dhe këtu nisin abuzimet!
Gazeta SHQIP ka siguruar dokumentet e një tenderi që ka dhënë Bashkia e Librazhdit, ku dhjetëra hektarë me pyje në zonën e Njësisë Administrative Polis, do të priten. Dhe, më e çuditshmja në këtë tender është se kompania që ka dalë fituese e këtij tenderi, i ka prerë më parë pa leje!
Kreu i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, ka shpallur futese kompaninë “AL-MEXWOOD”, për të prerë pemë në këtë ekonomi pyjore. Por, Gazeta SHQIP ka mësuar nga burime pranë Inspektoriatit të Pyjeve se kjo kompani është kapur duke prerë pemë të pamarkuara në këtë pyll.
Madje, sipas një dokumenti të publikuar javë më parë nga Partia Demokratike, kjo kompani është nën sekuestro, pikërisht për prerje të paligjshme të pyjeve. Në dokumentet e SHQIP, thuhet se “AL-MEXWOOD” ka fituar tenderin për “Shfrytezim pyjesh në ekonomitë pyjore në Bashkinë Librazhd”.
Ajo ka ofruar 73 milionë lekë të vjetra për të prerë dhjetëra hektarë me pyje në këtë zonë. Në tender ka qenë vetëm një kompani në garë, e cila ka fituar me mbi 98 përqind të fondit limit. Tenderi ngre dyshime se mund të ketë qenë i paracaktuar, pasi zona në fjalë, ku do të priten pemët, ka qenë e “njohur” për këtë firmë.
Duke analizuar dokumentet e Agjencisë së Prokurimit Publik, SHQIP hulumtoi se anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave nuk e kanë s’kualifikuar këtë firmë. Por, një dokument i publikuar para pak javësh, i dalë në tetor 2018, flet se kjo kompani është nën sekuestro nga përmbarimi, për shkak se nuk ka paguar një gjobë ndaj Inspektoriatit të Pyjeve.
Por, përse nuk e mori në konsideratë këtë dokument Bashkia e Librazhdit?
Nga verifikimet e Gazetës SHQIP rezulton se kjo bashkia e drejtuar nga Kastriot Gurra, ka pasur informacion të plotë rreth aktivitetit të kësaj kompanie. Madje, ajo është njohur edhe me gjobën apo edhe penalitetet. Gjithsesi, zyrtarët e kësaj bashkie e kanë konsideruar prerjen e pyjeve të pamarkuara si “raste sporadike”, një skandal i rëndë ky për një institucion shtetëror.
Mësohet se “AL-MEXWOOD” është gjobitur në janarin e vitit 2017, pasi ishte konstatuar se po transportonte dy ngarkesa me lëndë drusore të pamarkuar. Madje, kapja e kësaj kompanie është bërë pikërisht në Njësinë Administrative Polis, në të njëjtin vend që kjo kompani ka fituar së fundmi edhe tenderin për të prerë me leje!
Pak ditë më parë, PD akuzoi kreun e bashkisë Gramsh, Klodian Taçe, se i ka dhënë tender kësaj kompanie, që është nën sekuestro për gjobën nga Inspektoriati. Mësohet se edhe në Gramsh, “AL-MEXWOOD”, ka marrë pjesë në tender megjithëse kishte detyrime të papaguara.
Në lidhje me tenderin në Librazhd, Gazeta SHQIP hulumtoi se “AL-MEXËOOD” do të presë pyje në tre ekonomi pyjore në zonën e Njësisë Administrative Polis. Kjo ekonomi pyjore ndodhet 1100 deri në 1500 metra mbi nivelin e detit, ndërsa ka ah’ dhe trungishte me origjinë farore.
Kastritot Gurra është përfolur edhe në të shkuarën për masakrën pyjore që po bëhet në Librazhd. Ai është zgjedhur për herë të dytë në krye të Bashkisë së Librazhdit, falë miqësisë që ka me kreun e Grupit Parlamentar, Taulant Ballën.
Gazeta Shqip