Skandali mes kryeministrit dhe ish zyrtarit të lartë të FBI-së. – “Pagoi McGonigal për të sajuar lobimin me para ruse të PD-së”. – Kërkesë urgjente SPAK-ut për të hetuar Ramën
24 Janar 2023
Nga Gazeta Sot.
Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi i është drejtuar zyrtarisht SPAK-ut që të nisë hetimet për një organizatë kriminale, të drejtuar sipas tij, nga kryeministri Edi Rama.
Kërkesa e Bardhit vjen pas arrestimit të ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal për akuzat për bashkëpunim me rusët. Po ashtu, sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare, McGonigal ka marrë para edhe nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare.
Sipas Bardhit, nëpërmjet këtij ish-punonjësit të Sigurimit, Rama ka paguar 225 mijë dollarë për të sajuar, siç u shpreh ai, çështjen e lobimit me para ruse të PD-së në SHBA.
Deputeti demokrat ka kërkuar që kryeministri Rama të hetohet për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë; Korrupsion aktiv i nëpunësve të huaj publikë; Deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë; Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe Grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës penale nga grupi i struktutuar kriminal.
GAZMENT BARDHI
Miku personal i Edi Ramës, Charles McGonigal, u arrestua në SHBA pasi akuzohet për bashkëpunim me rusët, deklarim të rremë dhe pastrim të parave të pista. Drejtësia amerikane konfirmon se Edi Rama, nëpërmjet një ish punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i paska paguar mikut të tij McGonigal plot 225 mijë dollarë për të sajuar përrallën me lobim me para ruse të PD në SHBA.
Korruptimi i një zyrtari amerikan të FBI për të sajuar rrethana të rreme për kundërshtarët politik është jo vetëm krim, por akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Asnjë Kryeministër në vendet demokratike nuk përdor para të pista për të korruptuar zyrtarë amerikan të lidhur me Rusinë për të goditur kundërshtarët politik.
Sot i jam drejtuar zyrtarisht SPAK që të nis hetimet për një organizatë kriminale, të drejtuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë :
1. Korrupsion aktiv i nëpunësve të huaj publikë;
2. Deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë;
3. Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
4. Grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës penale nga grupi i struktutuar kriminal.
SPAK nuk ka shumë punë për zbardhjen e kësaj afere kriminale. Mjafton të kërkojë zyrtarisht të plotë dosjen dhe provat pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias në SHBA. Drejtësia që hesht përballë fakteve është drejtësi e vdekur. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë një drejtësi që vepron ndaj kujtdo dhe që i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë.