
Skandali në Dogana, drejtori i Anti-Kontrabandës përfundon në SPAK bashkë me vartësit e tij, dyshime për…
18 Prill 2025
Një skandal i paprecedentë ka tronditur institucionet shqiptare, pasi drejtori i Drejtorisë së Anti-Kontrabandës, Fatjon Shehu, dyshohet se ka përfunduar në duar të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), bashkë me disa nga vartësit e tij më të ngushtë. Po flasim për një operacion të përmasave të mëdha që ka zbuluar një rrjet të sofistikuar të kontrabandës së mallrave, duke përfshirë cigare, alkool, naftë, ilaçe, ushqime dhe veshje, që kalonin pa u kontrolluar përmes pikave doganore të vendit. Burime të besueshme kanë bërë me dije se inspektorët nën drejtimin e Shehut janë të dyshuar për lehtësimin e futjes së mallrave të kontrabanduar në Shqipëri, duke u lënë atyre mundësi që të kalonin pa asnjë pengesë përmes doganave të ndryshme, duke përfituar kështu nga korrupsioni i nivelit të lartë.
Skema
Por ky skandal ka ngritur alarmin në sistemin doganor dhe tashmë SPAK ka filluar një hetim të thellë, ku janë thirrur për të dëshmuar drejtpërsëdrejti Drejtori Shehu dhe shefat e departamenteve përkatëse. Sipas hetimeve të para, ky aktivitet kriminal mund të ketë dëmtuar rëndë ekonominë dhe sigurinë e shtetit, duke i hapur rrugë një game të gjerë të mallrave të kontrabanduar që kanë pllakosur tregun shqiptar. Pavarësisht akuzave të rënda, zyrtarët doganorë ende nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë lidhur me akuzat, ndërkohë që pas hetimeve të SPAK, pritet të ketë arrestime për personat që kanë mbyllur sytë përpara këtij skandali.
Pra ky është një tjetër moment i tronditjes për sistemin doganor shqiptar dhe një dëshmi e qartë e nevojës për reforma urgjente dhe hetime të thella për të pastruar institucionet e shtetit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni që ka penetruar në çdo nivel të administratës. Zhvillimet janë duke u ndjekur me intensitet të lartë nga opinion publik dhe mediat, ndërsa tensioni rritet në radhët e strukturave doganore. Emrat e përfshirë në këtë aferë pritet të zbardhen ditët në vijim, me të dhëna që mund të zbulojnë lidhje të frikshme me grupe të organizuara. Alarmet janë ndezur në të gjitha institucionet ligjzbatuese, ndërsa kërkesa për transparencë dhe ndëshkim është bërë më e zëshme se kurrë. Madje burime nga drejtësia paralajmërojnë “tërmete” të tjera në pozita kyçe të administratës. Por a do të jetë ky vetëm fillimi i një pastrimi të madh apo një tjetër skandal që do mbulohet me pluhur? Kjo mbetet të shihet.
Raporti i KLSH
Ndërkohë shpartallimi i pikave doganore, tashmë konfirmohet nga Kontrolli i Lartë të Shtetit. Përmes një raporti auditimi të doganave të publikuar vitin që shkoi, KLSH ngre dyshime të forta sa i takon efektshmërisë dhe sinjalizimit të skanerit për të konstatuar mallrat e paligjshme që kalojnë në pikat doganore. Sipas raportit, Drejtoria e Antikontrabandës, e cila drejtohet nga Fatjon Shehu, nuk ka konstatuar asnjë gabim në skanim, duke ngritur dyshime se skaneri është jashtë funksionit dhe se doganat janë kthyer në han pa porta, për ngarkesat me kokainë dhe mallrat kontrabandë. Gjithashtu, në raport konstatohen abuzime nga ana e Drejtorisë së Antikontrabandës gjatë kontrolleve. Kjo drejtori në shumë raste nuk argumenton klasifikimin e shkeljeve të konstatuara. Në raste të tjera nuk specifikohen shkeljet.
Po ashtu, mësohet se disa organe ligjzbatuese vendase dhe partnere, përfshirë edhe shërbimet informative, kanë dhënë alarmin për shpartallimin e pikave doganore, pasi janë intensifikuar rastet e dyshuara të kontrabandës së mallrave dhe trafiku i drogës.