Skema që po ndjek Edi Rama për të “mbërthyer” SPAK. – Konstuticionalistë dhe analistët ngrenë alarmin, përplasje të forta brenda “Rithemelimit”
29 Maji 2024
Kryeministri Edi Rama duket i vendosur për të “mbërthyer” SPAK përmes rezolutës anti-korrupsion të propozuar nga vetë ai dhe që u votua me 76 vota pro të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë mbrëmjen e 27 majit.
Edhe pse socialistët këmbëngulin se rezoluta ka si qëllim thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, e vërteta është se synohet kontrolli i reformës në drejtësi dhe organeve të reja të dala prej saj.
Kështu mendojnë konstuticionalistët, politikanët dhe ekspertët.
Njëri prej tyre është konstitucionalisti Sokol Hazizaj, i cili në një media u shpreh se ky nuk do të jetë tjetër veç se një komision që do të mbikëqyrë dhe kontrollojë institucionet e drejtësisë. “Ky është kryekomisioni, që do të ketë aftësinë për të mbikëqyrur edhe institucione që janë produkt i reformës së vitit 2016. E kjo është e padiskutueshme. Në pikëpamje ligjore, kjo rezolutë në raport me atë që ka prodhuar reforma në drejtësi, është shumë e nxituar. Brenda saj nuk parashikon një rregullim të një komisioni i cili do të mbikëqyrë të gjithë komisionet e tjera të Kuvendit, por pa një rregullim të posaçëm.
Ky komision duhet të ketë një dimension të përcaktuar se ku fillon dhe ku mbaron. Drejtësia ka shumë defekte të cilat me një mirëkuptim mes pozitës dhe opozitës do të reflektonte në kuptimin e së drejtës. Gjëja e fundit që diskutohet në këtë rezolutë është e drejta e njeriut. Gjyqësori dhe prokuroria janë duke ndërmarrë vendime që bien në kundërshtim me të drejtat kushtetuese themelore të qytetarëve. Rezoluta vjen si e nxituar sepse ne nuk jemi në klimën më të mirë të pozitës dhe opozitës.
Dhe padyshim kjo klimë e bën të pamundur krijimin një superkomisioni, do të ngrejë të njëjtin standard të komisioneve kuvendore. Rezoluta që brenda tyre parashikojnë ngritje komisionesh, detyrojnë Byronë e Kuvendit që jo më shumë se 15 muaj nga krijimi i komisioneve të shikojë efektet e rezolutës. I bie me këtë Kuvend, apo me Kuvendin e ri, pas zgjedhjeve. Rezoluta mund të jetë një përpjekje e cila, duke mos realizuar qëllimet evidente, duan të kamuflojë një nivel të ulët të qeverisjes dhe të drejtësisë”, deklaroi Hazizaj.
Reagon Lubonja
Ndërkohë analisti Fatos Lubonja në një intervistë për mediat dje, teksa ka komentuar rezolutën e miratuar nga mazhoranca në Kuvend, deklaroi se qëllimi i kryeministrit Edi Rama është që të kontrollojë institucionet e drejtësisë.
Lubonja deklaroi se ndërkohë që bëhet reforma në drejtësi, për ta bërë të pavarur, kryeministri Edi Rama tani po tenton që të lidhë kontrollin e Kuvendit mbi institucionet e drejtësisë. “Reforma në drejtësi është shitur si një reformë për të krijuar një drejtësi të pavarur nga politika. Tani Edi Rama po synon ti shesë këto reforma, që në thelb janë vendosja nën kontroll të të gjithë pushteteve, si reforma të mëdha, si te kjo rezoluta e fundit që flitet për luftën ndaj korrupsionit. Problemi është se ndërkohë që bëjmë një reformë në drejtësi, që do e bënte drejtësinë të pavarur nga politika, nga pushteti që është aktualisht, Edi Rama kërkon që të krijojë lidhje të kontrollit të Parlamentit mbi këto institucione. Për fat të keq Kuvendi funksionon si një instrument i Qeverisë, dhe përmes Kuvendit, Edi Rama synon që të kontrollojë sa të ketë të mundur këtë drejtësinë, që siç duket nuk e ka plotësisht nën kontrollin e tij, dhe po synon ta vendosë nën kontrollin e Kuvendit, që e kontrollon vetë.
Puna kryesore që ka Rama është të mbajë regjimin, pasi paratë i mbledh krimi. Thjesht Edi Rama synon të kontrollojë drejtësinë përmes komisioneve fasadë në Kuvend dhe ashtu siç punoi njëherë me Lulzim Bashën, tani ai mund të punojë edhe me Sali Berishën”, deklaroi Lubonja.
Reagon Shehaj
Ndërkaq edhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj tha se votimi në Kuvend i rezolutës antikorrupsion të propozuar nga PS, është një përpjekje për ndalimin e drejtësisë. Ai tha se mazhoranca po jep mesazhe të qarta që është kundër drejtësisë së re. Shehaj u shpreh se veç miratimit të rezolutës, një tjetër mesazh kundër SPAK është edhe amnistia penale, e cila sipas tij liroi të korruptuarit dhe deklaratat për mos-zgjatjen e mandatit të kreut të SPAK. “Kjo është strategji e qartë që ka për qëllim ndalimin e drejtësisë. Më parë ka ndodhur që kjo mazhorancë duke gënjyer opinionin publik dhe deputetët, tha që amnistia penale nuk ishte për të liruar të korruptuarit dhe liroi të korruptuarit.
Mesazhi për SPAK ishte ju i arrestoni, ne i lirojmë. Mesazhi tjetër që iu dha SPAK ishte që nuk ka më zgjatje mandati, do jeni në mes të rrugës. Ju vazhdoni, por ta dini që nuk ka zgjatje mandati. Unë kam shumë kritika edhe ndaj SPAK, por është fakt që si kurrë më parë SPAK po heton ministra, zv/ministra, kryebashkiakun e Tiranës. Duhet të hetonte edhe Ramën. Këta përditë shkojnë në SPAK”, deklaroi Shehaj”.
Moskoordinim brenda Rithemelimit
Por miratimi i rezolutës anti-korrupsion ka nxjerrë në pah edhe sherret brenda Rithemelimit. Grupi i Gazment Bardhit deklaroi hapur se do të abstenojë dhe do të bojkotonte votimin e rezolutës së Partisë Socialiste dhe kështu ndodhi. Ndërkohë ndryshe vepruan deputetët e Berishës si Tritan Shehu që shprehen hapur se do të votonin kundër, pra duke qëndruar në sallë dhe dalë kundër kolegëve të tij të opozitës që kishin paralajmëruar se do të abstenojnë. Pra duket qartë se kemi një sherr brenda Rithemelimit. “Rama mban Berishën të burgosur.
Po përpiqet me çdo mënyrë që të pengojnë integrimin në BE. Kemi të bëjmë me keqpërdorim të drejtësisë. Një drejtësi që keqpërdoret në këtë mënyrë nuk është drejtësi. Pa shembur regjimin nuk mund të kemi drejtësi. Prandaj vota ime është kundër sepse në këtë mënyrë kontribuoj vërtetë në luftën kundër korrupsionit. Nëse nuk themi të vërtetat, realisht do të zhytemi gjithnjë e më tepër në këtë situatë kaq të rendë”, deklaroi dy ditë më parë nga foltorja e Kuvendit, deputeti Tritan Shehu.
Gazeta Sot