Skenari që i pret shtetet e Ballkanit Perëndimor – plani që po kurdis Vuçiq
Skenari që i pret shtetet e Ballkanit Perëndimor – plani që po kurdis Vuçiq
18 DHJETOR 2021
Ka një kohë që Bosnje-Hercegovina po përballet me krizën e saj më të thellë që nga Marrëveshja e Dejtonit që i dha fund luftës në vitin 1995, dhe shumë prej tyre dyshojnë se është ndërhyrja ruse dhe kineze që mund të sjellë dështimin e paktit që ka siguruar një paqe të brishtë për 26 vjet.
Kështu më 10 dhjetor Asambleja Popullore e Republikës Sërpska, (RS) ka miratuar një sërë hapash që fuqizojnë një nismë për t’ia kaluar disa kompetenca të institucioneve shtetërore Republikës Serbe në Bosnje, pavarësisht paralajmërimeve nga Perëndimi.
Kjo ka arritur të lë në dyshime që mund të ketë destablizim të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në lidhje me këtë temë Gani Qarri duke komentuar këto zhvillime, në një prononcim për “Bota sot”, thotë ky hap i rëndësishëm ka ardhur si shkas i insistimeve të mëdha të Serbisë dhe Rusisë, nga e cila presin që po ato të përfitojnë.
“Me insistimet e pareshtura të Serbisë dhe të Rusisë së Putinit, “Republika serbe”, së fundi ka ndërmarr hapin më të fuqishëm të deritashëm edhe për pavarësimin praktik nga Bosnja. Duke kthyer paralajmërimet e Millorad Dodikut në fakte, për krijimin “real” të të ashtuquajturit shtetit të pavarur, të cilët e fuqizojnë edhe më tepër nismën e kësaj krijese të ngritur mbi gjakun e dhjetëra mijëra boshnjakëve të pafajshëm, për të transferuar kompetencat kryesore të shtetësisë, nga institucionet e përbashkëta shtetërore të Bosnje e Hercegovinës, te “Republika serbe”, pavarësisht paralajmërimeve nga SHBA-të dhe vendet e Perëndimit”, u shpreh ai.
Sinjalet që po dërgon Serbia së bashku me Rusinë
Më tej, analisti thotë që është Vuçiq, i cili po mundohet të fus sërish të gjithë rajonin në një luftë për territore duke përfshirë këtu edhe Kosovën.
“Kështu që, me armatosjen në vijimësi të ushtrisë serbe dhe furnizimin me armët më moderne të Serbisë nga Rusia dhe Kina, si dhe akte separatiste të vet të ashtuquajturës “Republika serbe”, krimineli Aleksandër Vuçiq po i dërgon gjithë botës demokratike, sinjale të qarta, se nëse Bota nuk ndërhyn shpejtë, ai ka ndërmend ta fus serish, të gjithë rajonin në luftë për territore. Dhe krejt kjo aventurë vetëvrasëse, bëhet për gllabërimin edhe me forcë të Veriut të Kosovës, sipas marrëveshjeve të fshehta e konspirative ndërmjet kuislingut Hashim Thaçi dhe kriminelit Aleksandër Vuçiq, si dhe aneksimin e më tepër se gjysmës së Bosnjës e Hercegovinës, 51% të territorit të së cilës, sipas marrëveshjes së Deitonit, sado që është shumë e padrejtë, faktikisht i takojnë një krijese të tillë të ngritur mbi gjakun e civilëve të pafajshëm, si “Republika serbe”, thotë analisti.
Ai tutje thekson që e gjithë kjo nismë është e nisur nga Vuçiqi dhe e vazhduar nga Dodiku, por që kërcënon Kosovën.
“Ndaj nisma e trajtuar deri më tani, vetëm si çmenduri e Millorad Dodikut dhe kriminelit Aleksandër Vuçiq, e shfaqur fillimisht nga ministrat e Vuçiqit, si “botë serbe”, por e ushqyer në vazhdimësi nga Rusia, pas dështimit të “non-paper-sëve” të famshëm të shfaqur si projekte “fantome” për korrigjim territoresh, ka arritur deri atje, sa që, përveç shpartallimit të Bosnjës si vend kompakt, kërcënon drejtpërsëdrejti edhe Kosovën, dhe paqen e brishtë në gjithë rajonin”, tha Qarri.
Ai thekson që e gjithë kjo mund të sjellë një konflikt ushtarak dhe natyrisht që do të sillte një rrezik për gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Dhe në rast shpërthimi të konfliktit ushtarak, siç po përgatitet hapur tash e sa kohë Serbia, përveç se do ta shuante nga harta e shteteve të pavarura Bosnjën e Hercegovinën, Vuçiqi si pasardhës i Millosheviqit, synon ta ndajë dhe gllabëroj edhe me forcë veriun me pjesët më vitale të Kosovës, gjë që duke pasur parasysh shtrirjen e shqiptarëve, praktikisht do të vinte në rrezik gjithë Ballkanin Perëndimor dhe involvimin e serishëm të disa shteteve, jo vetëm të ish federatës jugosllave, por duke njohur pretendimet e tyre, ndoshta edhe Greqinë e Bullgarinë, në luftëra të reja edhe më të përgjakshme për territore”, u shpreh Qarri për “Bota sot”.