Skenari shkatërrues për Serbinë: – Të njohë shtetin e Kosovës, ose do të pësojë kolaps ekonomik!
2 Shkurt 2023
Gazeta Bota Sot, Prishtine.
Kosova dhe Serbia assesi të afrohen në qëndrimet për një marrëveshje përfundimtare.
Në kohën kur e gjithë bota po kërkon përmbylljen e dialogut me një marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke, është Serbia ajo, e cila as që dëgjon për këtë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe politikanët e tjerë në Serbi po kërkojnë asociacion me kompetenca ekzekutive.
Por, kjo kërkesë e tyre nuk po dëgjohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka qëndrimin e tij kundër çfarëdo asociacioni në Kosovë.
Madje Vuçiqi, me politikat e tij që është duke i ushtruar tash e shumë vite, si kryetar i Serbisë, edhe përkundër asaj që Kosova është çliruar nga okupimi serb me intervenimin e NATO-s, dhe kapitullimin e kanë nënshkruar vetë prijësit e shtetit serb në Kumanovë, ky pasardhës i Millosheviqit dhe zyrtarët tjerë nuk po mund të pajtohen me faktin se tani Kosova është shtet që e fitoi luftën dhe llogaritet e çliruar.
Kështu shprehet ish-zëvendësminsitri i MPB-së dhe eksperti i sigursë Hajrullah Tërnava, i cili shton se, Vuçiqi tani me politika të llojllojshme për kaq vite është duke e zvarritur njohjen reciproke me shtetin e Kosovës.
Sipas tij, ai po prolongon nga viti në vit, e për Kosovën kjo situatë është shumë e pavolitshme, sepse me politikat e tij të tilla, tani jemi shteti më i izoluar në botë.
“Përkundër asaj që deri më tani janë zhvilluar shumë raunde të bisedimeve, ku janë të kyçur edhe ndërkombëtarët, Serbia nuk po arrin t’i bindet realitetit, edhe pse në ankesën e Serbisë që e patë ushtruar në GJND-se, ky gjyq e konfirmon të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur. Prandaj në këto rrethana të krijuara, Kosova tani ka mbetur në një ‘qorr sokak’ që s’po i dihet mbarimi i këtyre bisedimeve dhe kur do të arrihet njohja reciproke”, thotë Tërnava.
Sipas tij, është e kuptueshme që Vuçiqi i luan lojërat e ndryshme për ta prolonguar nënshkrimin e një marrëveshjeje ligjërisht obligative për zbatim dhe për njohje të Kosovës si shtet i pavarur.
“Me këtë është duke e testuar dhe provokuar edhe faktorin ndërkombëtar në Kosovë, forcën ushtarake të aleancës së NATO-s, për ta matur seriozitetin dhe gatishmërinë e tyre për t’u ballafaquar dhe intervenuar në rastin kur Serbia do të provonte që të ndërhyn në veri, në emër të mbrojtjes dhe sigurisë se serbëve të Kosovës që kinse thotë janë të rrezikuar”, shton ai.
Sipas tij, çfarëdo mësymje të Serbisë në Kosovë, do të jetë dorëzim i Vuçiqit.
“Pra, do të jetë dorëzim i detyrueshëm i regjimit të Vuçiqit i cili me kohë e ka marrë mesazhin e gatishmërisë për pasojat me të cilat do të ballafaqohet shteti serb nëse rrezikon sigurinë dhe kufijtë e Kosovës, duke inskenuar situata krize me grupet e ekstremiste serbe të cilët i mbanë në Kosovë dhe rreth Kosovës të instrumentalizuar”, thotë ai.
Tërnava shprehet se, Vuçiqi edhe në të ardhmen do të bëjë çmos që të përdorë lojëra të ndryshme kur është çështja e Kosovës në pyetje.
“Kjo sepse me këto prolongime, Serbia e pret një kohë tjetër në të cilën kohë e ka shpresën se situata do të ndryshoj në të mirë të Serbisë, dhe Vuçiq llogaritë që Kosovën gjithsesi ta mbaj nën okupimin. Sidoqoftë kjo kohë e tanishme nuk është në favorin e Serbisë, por në bazë të investimeve të faktorit ndërkombëtar Serbia edhe në të ardhmen do të tentoj t’i shfrytëzoj ato fakte që me i prolongua ato bisedime të pafund, deri sa miqtë e saj të forcohen dhe ta ndihmojnë Serbinë dhe territori i Kosovës t’i mbetet në pronësi Serbisë”, potencon ai.
Ai kërkon nga shtetet mike të Kosovës që kanë investuar miliarda në Serbi, që të jenë më konkrete dhe decidive që çështja e njohjeve reciproke mes Serbisë dhe Kosovës të ndodhë sa më parë.
“Ose ta kushtëzojnë Serbinë me tërheqjen e atyre investimeve, dhe me këtë kërcënim do të arrihet efekti pozitiv i njohjes së pavarësisë së Kosovës, sepse me ndodhë një tërheqje e atyre investimeve nga ato shtete mike tonat sikur që është Gjermania, Serbia do ta pësoj kolapsin ekonomik”, përfundon Hajrullah Tërnava.