20 Tetor 2023

Zgjedhjet u bënë në një proces të mbyllur, pa praninë e mediave dhe pa garë, ku Gjinushi, një politikan në pension, mori 98 përqind të votave.

Sipas zyrës së shtypit të Akademisë së Shkencave, nga 54 anëtarë të Asamblesë së ASH-së, morën pjesë në votim 53 anëtarë, nga të cilët 51 votuan pro dhe 2 kundër tij. Vetëm 44 anëtarë votuan fizikisht, ndërsa 9 të tjerë e dërguan votën e tyre me zarf, pasi nuk ndodheshin në Shqipëri.

Në këto votime u zgjodh gjithashtu në një mandat të dytë zëvendëskryetari Vasil Tole me 50 vota pro dhe 3 kundër. Gjinushi i quajti zgjedhjet demokratike dhe mbështetje për reformat që ai kishte ndërmarrë në 4 vjeçarin e parë në krye të akademisë.

“Secili kandidat ka në dorë veten e vet, dhe gjithkush ka qenë i ftuar, ligji ua jep të drejtën,” tha ai duke komentuar mungesën e garës.

Socialistët në pushtet ndryshuan disa herë ligjin për ASH-në duke i dhënë fillimisht Gjinushit mundësinë që të garonte për kryetar në vitin 2019 dhe më pas e ndryshuar sërish për t’i dhënë mundësinë që të merrte një mandat të dytë. Ndryshimet e fundit ligjore kaluan në Kuvend me një proces të kontestuar fort nga opozita, ndërsa vetë Gjinushi pranoi para Komisionit për Media dhe Edukim se kishte qenë inciator i këtyre ndryshimeve.

Anëtarja e këtij komisioni, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, i ka ankimuar këto ndryshime në Gjykatën Kushtetuese.

“Skënder Gjinushi veshi kostumin me porosi që i qepi paligjshmëria e deputetëve socialistë,” reagoi ajo të premten pas përfundimit të votimeve në ASH.

Sipas saj, zgjedhjet ishin një farsë dhe antiligjore, pasi mandati i tij kishte përfunduar me 18 korrik.

Maxhoranca socialiste deklaroi në vitin 2018 se do të reformojë Akademinë e Shkencave, por ligji i ri solli zgjedhjen në krye të saj të një Gjinushit, ish-kryetar i Partisë Socialdemokrate për më shumë se 2 dekada.

Presidenti i kohës Ilir Meta refuzoi të mbajë ceremoninë e betimit të Gjinushit duke vënë në dukje faktin se ai është një politikan dhe jo shkencëtar. Socialistët ndryshuan ligjin në mënyrë që të mundësonin betimin e Gjinushit në kuvend dhe jo në presidencë.

Akademia e Shkencave u mbush pas kësaj me deputetë socialistë në pension, të cilët papritur filluan të prezantojnë veten si akademikë.

Në Korrik socialistët ndërhynë sërish në ligj duke hequr kufizimet e kandidimit për 2 mandate radhazi.

Gazeta Panorama